
SHBA- Një mjek nga Kalifornia, i akuzuar se i ka dhënë yllit të serialit “Friends”, Matthew Perry-t, akses në ketaminë disa javë para vdekjes, është deklaruar fajtor në Gjykatë. Dr. Salvador Plasencia u deklarua fajtor për shpërndarje të ketaminës, e kështu rrezikon deri në 40 vjet burg. Sipas mesazheve që kanë zbuluar prokurorët në gjyq, Dr. Mark Chavez - një mjek i cili tashmë e ka pranuar fajësinë në këtë çështje - i shkruan dr. Plasencia për lëndën që donte aktori. Ndërsa Plasencia e quan Perry-n një "idiot" dhe pyet gjithë kohën nëse aktori do të ishte i gatshëm që të paguante për ilaçet që merrte prej tyre.
Në rrëfimin e tij, dr. Plasencia tregon se i ka injektuar Perry-t ketaminë në shtëpinë e tij dhe në parkingun e "Akuariumit Long Beach"; më pas, i ka mësuar asistentit të aktorit (që gjithashtu është marrë i pandehur) se si t'ja injektonte edhe ai. Po ashtu, i ka dhënë edhe shishe shtesë për t'i mbajtur në shtëpi.
Doktori është një nga pesë personat e akuzuar për atë që prokurorët pretendojnë se ishte një rrjet i fshehtë trafikantësh dhe profesionistësh që furnizonin Perry-n me ketaminë. Aktori merrte sasi të ligjshme të ilaçit për të trajtuar depresionin e tij, por ai donte më shumë sesa i ishte përshkruar në recetë.
Dr. Plasencia i shiti Perry-t dhe asistentit të tij 20 shishe 5 ml me ketaminë, më pak se një pako e plotë me tableta. Edhe pse BBC tentoi që të kontaktonte me avokatët e mjekut, sërish nuk mori asnjë përgjigje.
Perry – i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends” – u gjet i vdekur në vaskën e tij me ujë të nxehtë në Los Angeles në tetor 2023. Ai ishte 54 vjeç dhe, megjithëse kishte folur hapur për problemet me depresionin dhe varësinë, fansat në mbarë botën u tronditën nga vdekja e tij. Për vdekjen e tij janë akuzuar gjithsej pesë persona. Tre prej tyre, dr. Mark Chavez, asistenti i Perry-t, Kenneth Iwamasa, dhe tregtari i ketaminës Eric Fleming, tashmë e kanë pranuar fajësinë. I fundit që iu shtua ishte Plasencia.
E vetmja që nuk e ka bërë ende këtë është Jaswin Sangha, e njohur edhe si "Mbretëresha e Ketaminës"./ZËRI