
PRISHTINË- Deputetët sërish kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, teksa kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve mes ndryshimeve gjeopolitike në botë dhe deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Mimoza Kusari-Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deklarata e Trumpit po "keqpërdoret nga forcat brenda për çështje politike".
Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Këtë deklaratë Trump e bëri teksa përcolli një mesazh për paqe në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli dhe Irani që nga e premtja po sulmojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Kusari-Lila tha se deklarata e Trumpit i referohet marrëveshjes së arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia për normalizim ekonomik dhe jo për ngjarjet aktuale në Kosovë.
Ajo madje tha se ka dëgjuar se kjo deklaratë është interpretuar si thirrje nga presidenti amerikan për konstituimin e institucioneve në Kosovë.
"Jam e bindur se me krejt çfarë po ndodh në botë, pak vëmendje ose fare vëmendje ne si shtet apo si Ballkan kemi në agjendën e tij", tha Kusari-Lila, duke shtuar se i duket "absurde" që kjo deklaratë e Trumpt të përdoret "për luftën e brendshme politike".
Por, nga Partia Demokratike e Kosovës i bënë thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojnë dhe të sillen me përgjegjësi, duke theksuar se "bota po ndryshon çdo ditë".Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas seancës konstituive tha se nëse në një moment, Kosova pranon një kërkesë të shpejtë nga SHBA-ja për të pasur një qasje më proaktive në raport me një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë dhe “nëse ne nuk i kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që i dëmton institucionet e Kosovës”.
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës foli për deklaratën e presidentit Trump. Sipas tij, presidenti amerikan do të ketë një rol kritik sa i përket procesit të paqes dhe përmbylljes së shtetndërtimit të Kosovës, duke bërë thirrje që Kosova të bëhet gati për këtë.
“Paralajmërimi më i madh është rikthimi tek ai që ai e quan dëmtim të procesit të paqes. E konfirmon qëndrimin e LDK që Marrëveshja e Ohrit ka qenë e dëmshme. Ne besojmë që mes BE-së dhe administratës Trump do të ketë një koordinim sa i përket këtyre zhvillimeve, por mbi të gjitha roli i tij është i veçantë, pesha specifike e qëndrimit amerikan dhe roli i presidentit Trump në procesin e paqes dhe në përmbylljen e shtetndërtimit në Kosovë do të jetë kritik. Kështu që duhet të bëhemi gati”, u shpreh ai pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e së cilit ka tre deputetë – kërkoi formimin e institucioneve të reja, duke thënë se politikanët ende nuk e kanë “kuptuar qartë se çfarë po ndodh përreth nesh dhe në botë”. “[Presdenti Trump] i ka dhanë sinjalet për qasjen e tij për zgjidhjen e problemeve”, tha Limaj, duke thënë se vendi duhet të veprojë shpejt në mënyrë që të jetë një partner i gatshëm dhe i besueshëm.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, foli për ndryshimin e qasjes së administratës Trump. Ai kujtoi se në të kaluarën, SHBA-ja ka ndihmuar vendin në tejkalimin e ngërçeve politike, por tani tha se administrata amerikane "nuk jam i sigurt që do të hyjë në një aventurë politike si në atë kohë”, duke kujtuar zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e presidentit.
Për zgjedhjen e saj, SHBA-ja kishte ndihmuar forcat politike që të arrinin një marrëveshje.
“Normalisht na duhet stimulim nga administrata amerikane por ne duhet të jemi më të vendosur”, tha ai.
Duda Balje, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, kërkoi që vetë politikanët në Kosovë të arrijnë te një zgjidhje dhe jo të ketë ndërhyrje nga jashtë. Ajo kërkoi që Kosova duhet shpejt të japë sinjal se është serioze, duke u bërë thirrje politikanëve që të tejkalojnë “inatet politike” dhe të formohen institucionet e reja. Në tentimin e 33-të radhazi, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit. Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të enjten e 19 qershorit.
Kjo është hera e 25-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, i takon që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ky subjekt këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr organin ligjvënës, ndonëse për PDK-në dhe AAK-në ajo konsiderohet figurë përçarëse. Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Teksa vendi është pa institucione të reja, mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, javën e kaluar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shpalosi një plan me 15 pika për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.Ky propozim është kundërshtuar nga LVV-ja, ndërkaq PDK-ja ka deklaruar se preferon formimin e një qeverie nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion i tillë qeverisës preferohet edhe nga AAK-ja.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, që Kuvendi të konsiderohet i themeluar, deputetët duhet që të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për dy votimet kërkohen nga 61 vota. Vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituar, atëherë hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri./REL