
ITALI- Policia italiane ka vendosur në pranga Antonino Luppino dhe Vincenzo Luppino, djemtë e Giovanni Luppino, shoferi i bosit mafioz Matteo Messina Denaro. Edhe shoferi përfundoi në pranga së bashku me Denaron, më 16 janar 2023. Por tashmë edhe djemtë e tij akuzohen për ndihmë dhe moszbatim të dënimit.
Dy vëllezërit, nga viti 2018 deri në vitin 2022, jetonin pak metra larg strehës së fundit të kumbarit në Campobello di Mazara, duke ndarë informacione thelbësore me babain e tyre për menaxhimin e lëvizjeve të bosit të mafias, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë për shkak të përkeqësimit të sëmundjes me kancerin. Antonino Luppino mbante një prej numrave të tij të telefonit, ndërsa Vincenzo shkonte me të në klinikë kur merrte trajtimin për kancer dhe kujdesej për çdo nevojë që mund të kishte.
Gjithashtu, të tre, ndiqnin nga afër punën për ristaurimin e banesës së Messina Denaros. Më 29 dhjetor 2022, pak ditë para arrestimit, Matteo Messina Denaro kaloi me makinë pranë shtëpisë së ish-partneres së tij, nënës së vajzës së tij dhe motrave të tij Bice dhe Giovanna, në Castelevetrano. Furgoni i Vincenzo Luppino-s, i arrestuar ditën e sotme, e ka ndjekur si ekskortë. Drejtues i mjetit ishte babai i tij Xhovani.
"Shefi" u kishte kërkuar që të kalonin edhe njëherë para shtëpive të tij me shpresën se do kishte mundësi të shihte ndonjë familjar nga larg. Kamerat e qytetit kapën pamjet e furgonin që ndiqte mjetin tip "Giulietta", duke i shpëtuar edhe kontrolleve që bëheshin në atë kohë nga Policia.
Matteo Messina Denaro, konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj në Itali, që ishte në kërkim prej kohësh, u arrestua nga autoritetet italiane. Ai vdiq në burg, pasi vuante nga kanceri i zorrës së trashë./ZËRI