Bota

Dinari serb/ Escobar: Zbatimi i vendimit të BQK-së, katastrofik! Kemi probleme me Kurtin

Ndërsa shtoi se partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës është mes njerëzve dhe jo një individi. Këtu përmendi faktin se komunikimi me qeverinë Kurti mungon. 

a.l
Dinari serb/ Escobar: Zbatimi i vendimit të BQK-së, katastrofik! Kemi
Gabriel Escobar

BRUKSEL-  I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka reaguar pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton euron si valutën për kryerje të pagesave me para të gatshme. Gjatë një konference me gazetarët në Bruksel ai shprehu qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për këtë vendim të cilin e ka cilësuar katastrofik dhe jokometent. Ndërsa shtoi se partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës është mes njerëzve dhe jo një individi. Këtu përmendi faktin se komunikimi me qeverinë Kurti mungon. 

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ketë parasysh shqetësimet e komunitetit serb dhe mekanizmit ndërkombëtar për trajtimin e minoriteteve brenda Kosovës. Partneriteti në mes të SHBA-së dhe Kosovës është partneritet mes njerëzve. S’është partneritet mes njerëzve specifik. Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, tha ai. 

Ai gjithashtu ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, në veri të Kosovës kanë dashur të zbatojnë vendimin brenda 3 javëve.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb. Që prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një sërë takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi. Escobar pritet t'i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars. 

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI

Poll

MOS HUMB