
VOLOS- Autoritetet greke kanë ngritur alarmin pasi bregdeti është mbushur me dhjetëra ton peshk të ngordhur. Sipas mediave ndërkombëtare, kjo katastrofë klimatike vjen për shkak të përmbytjeve që pushtuan vendin vitin e kaluar dhe peshqit u zhvendosen nga ujërat e ëmbla.
Në bregdetin e Volos kanë dalë në sipërfaqe më shumë se 40 ton peshqe të ngordhur, banorët janë përpjekur t’i kapin, por era e rëndë e ka vështirësuar punën. Autoritetet po përpiqen të pastrojnë bregdetin para se situata të përkeqësohet dhe era të përhapet më shumë në qytet dhe të kthehet në një kërcënim për restorantet dhe hotelet.
"Peshqit kanë pushtuar bregdetin, por edhe qendrën e Gjirit Pagasetik”, tha anëtari i këshillit të qytetit Stelios Limnios për Reuters.
Të mërkurën, peshkatarët hodhën rrjetat e tyre për të mbledhur peshqit, më shumë se 40 ton janë grumbulluar në 24 orët e fundit, thanë autoritetet.
Kryetari i bashkisë së Volosit Achilleas Beos tha se era ishte e padurueshme. Gjatë një konference për shtyp të mërkurën ai fajësoi qeverinë që nuk u mor me problemin përpara se të arrinte në qytetin e tij. Ai tha se peshqit e kalbur mund të krijojnë një katastrofë mjedisore për speciet e tjera në zonë. /ZËRI