
SPANJË- Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka bërë të ditur se në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada, mund të ketë takime joformale të liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Në një prononcim për RTS, Michel theksoi se po bëhen përpjekje diplomatike për të bindur liderët në rajon se "dialogu dhe stabiliteti janë ato për të cilat ata duhet të punojnë". Charles Michel tha se shpresonte se takimet do të ndihmonin në zgjidhjen e çështjes.
"Ne po punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të përcjellë një mesazh të qartë se nuk ka kohë për kriza dhe turbulenca të reja. Tani është koha për të kapur mundësinë për përparim drejt BE-së", thotë Michel.
Michel vlerësoi se "ekziston një mundësi e hapur për një përparim më të shpejtë të rajonit drejt BE-së" dhe vuri në dukje se Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre të ndërsjella për të përfituar nga kjo.
"Për përparimin e Ballkanit Perëndimor, sundimi i ligjit dhe reformat ekonomike janë të nevojshme, por është po aq e rëndësishme që të zgjidhen mosmarrëveshjet dypalëshe, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj që liderët e rajonit të kuptojnë se ekziston një mundësi që duhet përdorur”, thotë Michel.
Të enjten në Granada mbahet samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian, ku liderët e 44 vendeve, nga Islanda deri në Azerbajxhan, do të diskutojnë sigurinë, energjinë dhe çështje të tjera me interes për të gjithë kontinentin.
Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai