
KOREJA E VERIUT – Koreja e Veriut vazhdon të mbetet një vend diktatotrial, ku gjithçka e errët mund të ndodhë. Të mbijetuarit e burgjeve të Koresë së Veriut kanë rrëfyer gjithçka kanë kaluar në qelitë e vendit koreano-verior. Ata shprehen se keqtrajtimet janë të asaj forme, sa njeriu i rritur mund të peshojë deri 35 kilogramë. Ata shtojnë se shumë persona torturohen dhe disa vriten.
RRËFIMET E TË MBIJETUARVE TË BURGJEVE NË KORENË E VERIUT:
Pamjet shqetësuese zbulojnë tmerret në burgjet e vendit, që drejtohet nga Kim Jong Un, shtet ku njerëzit po vuajnë nga uria dhe një krizë e madhe ekonomike, e shkaktuar nga sanksionet ndërkombëtare.
Një nga refugjatët tha se ai nuk arriti të arratisej menjëherë dhe u ndalua në Korenë e Veriut gjatë përpjekjes së tij të parë, ku u torturua dhe ishte i uritur për nëntë muaj, deri në atë masë saqë në një moment peshonte vetëm 35 kg. Kur më në fund rrëfeu se ishte një spiun i huaj - gjë që nuk ishte e vërtetë, por shpresonte se rrëfimi do t'i jepte fund torturës - ai u dërgua në një kamp ku duhej të ngjitej në një kodër dhe të priste pyllin çdo ditë. Pemët e rrëzuara do të binin mbi të burgosurit, që ende po ngjiteshin në kodër. Ata mbetën ose të vdekur në vend ose pa këmbë, krahë dhe me plagë të rënda.
“Të burgosurve iu thyen gjymtyrët, u binin zorrët nga plagët e hapura. Ata u lanë të kalben”, raportoi Times fjalët e një prej të paktëve burra që arriti të fitonte lirinë, pas disa përpjekjeve.
Filmi i Madeleine Gavin tregon një familje me pesë anëtarë që ikën përmes Kinës, Vietnamit, Laosit dhe Tajlandës për të gjetur më në fund strehim në Korenë e Jugut. Pamjet nga telefonat e tyre dokumentojnë këtë udhëtim të rrezikshëm. Pastori Kim Seongeun është gjithashtu një figurë domethënëse në film. Ai ka 24 vjet që ndihmon ata që duan të ikin nga vendi i izoluar. Ai vendosi të bëjë një dokumentar, pasi fillimisht pa disa trupa që notonin në lumin Tumen, pas një përpjekjeje të dështuar arratisjeje.
Rruga e tmerrshme drejt lirisë
U vu në dukje se shumica e refugjatëve nuk shkojnë drejtpërdrejt në Korenë e Jugut sepse ka mbi dy milionë mina tokësore në kufi, për të parandaluar arratisjen. Në vend të kësaj, ata duhet të kalojnë lumenjtë Yalu ose Tumen, të cilët qëndrojnë në kufirin me Kinën fqinje, duke shmangur pikat e kontrollit ushtarak të Koresë së Veriut, si dhe spiunët që përpiqen t'i zënë në kurth.
Vetë pastori Kim ka kaluar disa herë në këtë rrugë. "Ndjej lodhje emocionale vetëm duke e menduar. Pjesa më e vështirë e rrugës është kalimi i paligjshëm i xhunglës", tha ai. Në kufi, refugjatët takojnë ndërmjetës që i ndihmojnë ata të arrijnë lirinë, por disa prej tyre mund t'i tradhtojnë lehtësisht, pasi autoritetet kineze u ofrojnë atyre shuma të mëdha parash për t'i dorëzuar, ata që përpiqen të arratisen nga Koreja e Veriut.
See a place few have ever seen.
— Beyond Utopia (@BeyondUtopiaDoc) August 28, 2023
Sundance Film Festival Audience Award winning documentary #BeyondUtopia is exclusively in theaters October 23 and 24. Go to https://t.co/h21gOVzxez for more info. pic.twitter.com/DAK4ofhqPn
Dokumentari "More se Utopia" tregon refugjatët që përpiqen të arratisen nga Koreja e Veriut pak para pandemisë. Soyeon Lee dezertoi dhjetë vjet më parë, duke lënë pas djalin e saj të vogël. Ajo ishte pjesë e ushtrisë së Koresë së Veriut dhe la familjen e saj, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Gjatë arratisjes, ajo u kap nga policia dhe u dërgua në një kamp, nga i cili u arratis me sukses pas dy vitesh.
Ajo gjithashtu donte që djali i saj Han Jung Chong, tani 17 vjeç, të ikte në Korenë e Jugut dhe organizoi arratisjen e tij me pastorin Kim. Megjithatë, plani u prish kur ndërmjetësit jo të besueshëm ia dorëzuan atë policisë së Koresë së Veriut. Adoleshenti u dërgua në kamp pasi u torturua, u mor në pyetje dhe u rrah rëndë. "Në Korenë e Veriut do të shkojnë aq larg sa të torturojnë deri në vdekje. Në fund, djali im do të lutet t'i marrin jetën", tha ajo në dokumentar. Në një intervistë për Independent Lens, ajo deklaroi se fillimisht nuk ishte e sigurt nëse duhej të merrte pjesë në dokumentar.
Learn the gripping story of families attempting to escape oppression in North Korea, revealing a world many have never seen.
— New Mexico PBS (@NMPBS) January 9, 2024
Watch @IndependentLens Beyond Utopia Tuesday at 9pm on @NMPBS and stream on the PBS App: https://t.co/y6AvQ7yXTs #NorthKorea pic.twitter.com/b4aiUP00Fg
Ajo shtoi se nëse do t'i duhej të ikte përsëri nga Koreja e Veriut, do të merrte helm me vete, sepse do të ishte më mirë të vdisje sesa të jetojë në një kamp përqendrimi. Familja Roh, e paraqitur gjithashtu në film, iku nëpër disa vende, përpara se të gjente strehim në Korenë e Jugut. Në pamjet e tmerrshme të arratisjes, ata mund të shihen duke ecur nëpër xhungël të dendur, ndërsa qentë e policisë mund të dëgjohen duke lehur, ndërsa i kërkojnë.
"Mendova për fqinjët tanë në atë mal, mendoja për lirinë. Nuk do të kishim mbijetuar nëse nuk do të ishte pastori", tha nëna nga familja Roh, transmeton Daily Mail. Udhëtimi i çoi ata fillimisht në Kinë, më pas në xhunglat e Vietnamit, përpara se të shkonin në Laos dhe në fund në Tajlandë, ku u identifikuan si refugjatë të Koresë së Veriut. Ata u transferuan në një objekt të posaçëm në Korenë e Jugut, ku mësuan për gjendjen reale të punëve në botë, pasi dëgjuan vetëm propagandën e regjimit gjatë gjithë jetës së tyre.
Të gjithë refugjatët po mësojnë se si të integrohen në shoqërinë e Koresë së Jugut. Akomodimi dhe lehtësira të tjera u ofrohen për t'i ndihmuar të ngrihen në këmbë. Pastori Kim krijoi gjithashtu një qendër komunitare për refugjatët, për t'i ndihmuar ata të përshtaten me jetën në një vend të lirë.
Propaganda: Kim Jong Un është biri i Zotit
Një tjetër refugjate në dokumentar është Hyonsio Lee, e cila u largua nga Koreja e Veriut 20 vjet më pare, pasi kuptoi se nuk donte të jetonte nën një regjim represiv. Ajo tha se u rrit duke menduar se jetonte në Utopi, një iluzion që më në fund u shkatërrua kur kuptoi se të gjithë rreth saj jetonin në mjerim dhe frikë të vazhdueshme nga ekzekutimet publike. "Zyrtarët e qeverisë hyjnë në shtëpi të veshur me doreza të bardha për të kontrolluar nëse fotografitë e liderit suprem aktual dhe të kaluar kanë pluhur mbi to. Nëse ka - ndodhin dënime të rënda", tha ajo në dokumentar.
Ajo tani është një aktiviste e të drejtave të njeriut që jeton në Korenë e Jugut dhe ka zbuluar shkallën e propagandës, ndaj të cilës janë të ekspozuar njerëzit në Korenë e Veriut. “Ne fjalë për fjalë themi se babai i Kimit është Zoti dhe Kim është biri i Zotit”, tha ajo. "Ne nuk e dinim se kishte ndonjë jetë tjetër përveç asaj që po jetonim. Ne ishim të bllokuar në një burg të madh virtual", shtoi e mbijetuara.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili mbushi 40 vjeç këtë muaj, është një diktator i pamëshirshëm që vret armiqtë e tij dhe bën plane për programin e armëve bërthamore të vendit, duke lejuar që familje të tëra të vdesin nga uria. Ditëlindja e tij, që ndoshta është 8 janari, është sekret në Korenë e Veriut. Nuk pati asnjë njoftim apo festë publike atë ditë, ndërkohë që media shtetërore vazhdoi heshtjen, e cila zgjat prej dekadash. Kjo është ndryshe nga ditëlindjet e babait dhe gjyshit të ndjerë të Kim, të cilat festoheshin si festa publike.
Kim është bërë një nga personalitetet më të njohura në planet për një sërë arsyesh. Disa e kanë frikë, të tjerë qeshin me të. Ai kreu një spastrim të përgjakshëm të zyrtarëve të rangut të lartë që përfshinte ekzekutime me topa, predha mortajash dhe flakëhedhës. Ai urdhëroi vrasjen e vëllait të tij me gaz nervor.
Ai mbikëqyri ndërtimin e armëve dhe raketave më të fuqishme bërthamore, të afta për të arritur në Amerikë. Ai i përdori ato për të siguruar tre takime me Donald Trump, duke u bërë lideri i parë i Koresë së Veriut në histori që takohet me presidentin amerikan. Ai kohët e fundit ka krijuar lidhje më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, veçanërisht përmes furnizimit me armë ndaj Moskës, për agresionin e saj kundër Ukrainës.
Kim Jong Un u përfol gjithashtu se kishte vdekur dhe u zëvendësua, pasi u zhduk për disa javë, duke nxitur më tej dyshimet për shëndetin e tij. Me kalimin e viteve, lideri i Koresë së Veriut është fryrë gjithnjë e më shumë dhe ngjyra e lëkurës i është zbehur. Supozohet se ai është rreth 170 cm i gjatë dhe në një moment ai peshonte 140 kilogramë. Analistët sugjeruan se ai po merrte injeksione steroide. Ai është duhanpirës dhe vuan nga probleme shëndetësore si hipertensioni, diabeti dhe kolesteroli i lartë. Të tjerë pohojnë se historia e shëndetit të tij është spekulim. Shumë frikësohen se mos gishti i tij është pranë butonit për aktivizimin e armëve bërthamore. /ZËRI/