
LONDËR- Sot bëhen pesë vjet nga divorci zyrtar i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pas referendumit të vitit 2016, në të cilin 52% e britanikëve votuan pro Brexit. Pra daljes nga Bashkimi Europian. Konfrontimi i ashpër mes Remainers dhe Brexiteers, negociatat 4-vjeçare mes Londrës dhe Brukselit për kushtet e divorcit, menaxhimi i daljes, rritja e populizmit dhe e djathta ekstreme, lanë gjurmë të thella në jetën politike të vendit.
Pas dorëheqjes së nismëtarit të referendumit, David Cameron, Partia Konservatore ndryshoi katër kryeministra të tjerë (Theresa May, Boris Johnson, Elizabeth Truss dhe Rishi Sunak) dhe më në fund humbi pushtetin. Tashmë në krye të vendit janë Laburistët e Keir Starmer.
Analistët ekonomikë flasin për humbje miliarda në vit për shkak të Brexit-it, ndërkohë që qeveria laburiste po ndërton ura drejt Brukselit për një “ribashkim”, edhe pse për momentin po eviton që të flasë për ribashkimin në BE.
Por çfarë mendojnë qytetarët britanikë për Brexit-in? A u arritën pritshmëritë e tyre? A janë zhgënjyer?
Një sondazh i YouGov, i kryer në prag të 5-vjetorit, tregon se ata që janë kundër Brexit janë rritur pasi pothuajse 1-5 që votuan pro largimit, tani thonë se ishte një gabim. Norma e përgjithshme prej 55% që e konsideron Brexit një gabim nuk është befasuese, pasi ka qenë vazhdimisht mbi 50% që nga vera e 2022. Ajo që po bën bujë është pakënaqësia në rritje e mbështetësve të daljes nga Bashkimi Europian.
Vetëm një bërthamë e fortë prej 30% këmbëngulin se Brexit ishte zgjidhja e duhur, ndërsa 18% e atyre që thonë se votuan për t'u larguar nga BE e pranojnë se kanë gabuar. Për më tepër, brezi i ri (18-24 vjeç), që nuk votoi në referendum, në masë dërrmuese (75%) besojnë se Brexit ishte një gabim, ndërsa vetëm 10% thonë se ishte i drejtë.
Prandaj nuk është për t'u habitur që 55% e qytetarëve britanikë mbështesin ribashkimin në BE. Por ajo që zyrtarët në Londër dhe Bruksel duhet të marrin në konsideratë të veçantë është se vetëm 8% e britanikëve e konsiderojnë marrëdhënien me BE-në si një nga çështjet prioritare për Mbretërinë e Bashkuar. Me fjalë të tjera, çështja është vendosur dhe tani po kërkohen zgjidhje dhe përmirësime plotësuese, por jo kthim pas./ZËRI