
MAQEDONIA E VERIUT- Në pritje të ekstradimit të Ljupça Palevskit, i dyshuari kryesor për vrasjen e adoleshentes Vanja Gjorcevska në Shkup, misteri më i madh që i përndjek qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit është roli i babait të saj në rrëmbimin e saj.
Aleksandar Gorçevski ndodhet në paraburgim me dyshimin se u kishte dhënë rrëmbyesve informacione për lëvizjet e vajzës së tij. Shtrohet pyetja - pse, dhe përgjigja mund të qëndrojë në të kaluarën e tij. Ka qenë kompania e Palevskit që ka marrë pjesë në ndërtimin e godinës ku banonte Vanja dhe pronar i banesës ishte babai i saj. Kjo do të thotë se ata i dinin të gjitha detajet rreth ndërtesës dhe kështu rrëmbyen Vanjën e ndjerë.
Borxhet e lojërave të fatit?
Spekulimet thonë se Aleksandri kishte borxhe për lojërat e fatit dhe për këtë ka dashur të zhvasë para nga Zorica, bashkëshortja e tij. Sipas atyre që e njohin, babai i Vanjës ishte një person problematik, bixhozxhi dhe narkoman. Ai vjen nga një familje e pasur nga Shkupi, babai i tij ishte drejtor kompanie dhe punonte në Poloni.
Dyshohet se vetë ai i tregoi vrasësit të vajzës së tij, ku dhe kur do të lëvizte Vanja atë ditë. Kjo është arsyeja pse vrasësi planifikoi gjithçka saktësisht.
Banesa dhe prona e nënës
Një pistë tjetër po hetohet. Policia dyshon se Aleksandri e ka bërë për përfitime financiare. Nëna e Vanjës, Zorica, dyshohet se ka shitur dy apartamente, të cilat Aleksandri ishte në djeni. Policia beson se Aleksandri donte të zhvaste para nga nëna e Vanjës për shkak të kësaj.
Gjithashtu përveç parave nga shitja e apartamenteve, familja e nënës së Vanjës është po ashtu e pasur. Gjyshi i Vanjës ishte drejtor i doganave, dhe gjyshja e saj ishte nga një familje e njohur Vllahe.
Nëna e Vanjës jetonte me dy vajzat e saj në banesën e pallatit të ndërtuar nga Palevski, ndaj gjithçka ishte planifikuar saktësisht rreth rrëmbimit të saj. Mjekësia ligjore ka përfunduar autopsinë dhe sipas informacioneve fillestare ajo është vrarë me armë nga Palevski. Nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse rrëmbyesit kanë kërkuar para, këtë do ta tregojë hetimi.
Vanja u rrëmbye nga ndërtesa ku jetonte me nënën dhe motrën e saj më 27 nëntor. Tre nga katër të dyshuarit që ndodhen në burg kanë pranuar fajin dhe rolet e tyre. Ata ia kanë hedhur fajin Ljupça Palevskin (i cili ndodhet ende në Turqi) si organizator dhe autor të vrasjes së 14-vjeçares. I vetmi në mesin e tyre, i cili nuk e pranoi fajin apo lidhjen me asnjë nga të dyshuarit e tjerë, është babai i vajzës, Aleksandar Gorçevski, i cili pretendon se nuk njeh asnjë prej tyre dhe se nuk e ka nxjerrë në pritë vajzën e tij. Megjithatë fjalët e tij nuk janë marrë parasysh në gjyq, pasi edhe ai si gjithë të tjerët ndodhet në burg./ZËRI