Opinione

BE ecën 'somnambul' në një botë të djegur

Në kohët e fundit, defekti i Unionit është bërë sërish i dukshëm. Pushtimi i Ukrainës dhe më pas kriza e re në Lindjen e Mesme, treguan dobësinë dhe cenueshmërinë e një Unioni pa një qendër vendimmarrje politike.

Mauro Del Corno
BE ecën 'somnambul' në një botë të djegur
Foto ilustruese

I çorientuar, i palëvizshëm, margjinal. Nuk janë mbiemra të bukur dhe për fat të keq, të gjithë, me arsye të shëndosha përshtaten me Europën. Kur Bashkimi Evropian, siç e njohim ne, filloi të merrte formë, një nga themeluesit e tij, Jacques Delors tha se 'rrugëtimi' kishte nisur me njërën këmbë, atë monetare. Që atëherë, BE-ja ka vazhduar të kërcejë, duke kapur paterica, por duke mos zhvilluar kurrë gjymtyrën e dytë. Për një kohë shkoi gjithçka mirë. Pas vitit 1989 Rusia u përfshi në ekonominë kapitaliste, në vitin 2001 Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Në fund asgjë nuk shkoi siç dukej se duhej të shkonte, por në atë fazë qetësie relative mospërputhja politike europiane u ndie më pak.

Në kohët e fundit, defekti i Unionit është bërë sërish i dukshëm. Pushtimi i Ukrainës dhe më pas kriza e re në Lindjen e Mesme, treguan dobësinë dhe cenueshmërinë e një Unioni pa një qendër vendimmarrje politike. Si një gjiganti ekonomik dhe xhuxh politik, Bashkimi Europian ka mbetur në mes të rrugës. Me modestinë tipike që i dallon, francezëve u pëlqen të thonë se në karrocën e Europës e tërheq Gjermania që është kali dhe Franca, karrocieri. Berlini është fuqia kryesore ekonomike e Kontinentit të Vjetër, e aftë për të udhëhequr vendet e tjera. Por Parisi ka një dimension tjetër diplomatik, në fund të fundit ka bombën atomike dhe një ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pra është unike në BE pas largimit të Britanisë së Madhe. Bashkimi ka qenë gjithmonë i strukturuar në boshtin franko-gjerman.

Gjermania pas Merkelit duket se po e ka gjithnjë e më të vështirë të marrë një rol kryesor.

“Bashkimi i vërtetë evropian filloi në vitet 1990. Që nga ai moment hapet një periudhë 10-15 vjeçare, gjatë të cilit Evropa vërtet përpiqet të strukturohet edhe politikisht, për t'u bërë një subjekt politik "i rritur" dhe i aftë për të kujdeset për interesat e veta,”- shpjegon historiani Mauro Maggiorani, i cili ligjëron Integrimin Politiko-Ekonomik të BE-së në Universitetin e Bolonjës, për Ilfattoquotidiano.it.

Por pastaj vijnë gabimet.

“Faza e pestë e bashkimit që sjell në vendet lindore. Një operacion që unë e konsideroj të nxituar pasi këto shtete nuk ishin gati të ndanin plotësisht vlerat demokratike të bërthamës origjinale të Bashkimit Europian, ndaj ishin dhe kanë mbetur pak solidar me vendet e tjera. Nga njëra anë është një Rusi që edhe një herë dëshiron të jetë një superfuqi dhe shkakton një lloj lufte të ftohtë. Nga ana tjetër, po hasemi me një varfërim të kalibrit  politik. Nuk ka më Mitterrand në Francë dhe Kohl në Gjermani. Zgjerimi Lindor ka "ecur keq" dhe klima e përgjithshme po ndryshon, jo vetëm në Evropë. E ardhmja duket më e pasigurt dhe shtetet ngurrojnë të ndërmarrin hapa përpara. Pak nga pak po vjen një tërheqje, një mbyllje, e cila ndikon edhe në nxitjen e populizmit të BE. Dhe kjo sigurisht që është katastrofike për një projekt që synon të bashkojë kultura të ndryshme."

Le të kthehemi te e sotmja dhe të marrim rastin e pushtimit rus të Ukrainës. BE-ja është fshehur nën ombrellën e NATO-s, duke deleguar plotësisht menaxhimin e krizës tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, është Europa ajo që po paguan çmimin më të lartë për konfliktin. Sanksionet duket se i bëjnë më shumë dëm Bashkimit Europian sesa Rusisë. “Shkëputja” nga gazsjellësit rus pati një çmim të lartë, gazi tani paguhet mbi 40 euro për megavat orë, më shumë se dyfishi i mesatares së viteve të fundit. Mbi të gjitha, paguhet tre ose katër herë më shumë se në Shtetet e Bashkuara, një goditje e rëndë për konkurrencën e industrisë evropiane.

Ku e blen Europa tani gazin që nuk e blen më nga Rusia? Kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, prej ku ngarkesat e gazit të lëngshëm të shtrenjtë (LNG) mbërrijnë me anije. Siguria energjetike e Kontinentit të Vjetër nuk është më në mëshirën e Kremlinit, por nga tekat e kompanive private amerikane. Shell dhe BP, për shembull, iu desh t'i drejtoheshin Uashingtonit dhe Brukselit për t'i kërkuar që American Venture Global LNG të respektonte marrëveshjet e furnizimit miliarda dollarësh. Me pak fjalë, nuk kemi rënë nga tigani në zjarr, por as nuk kemi shpëtuar nga gatimi. Gjermania, së bashku me Italinë, një nga vendet e BE-së më të varura nga gazi, vuajtën pa reaguar ndaj kompromisit të një infrastrukture kyçe siç është gazsjellësi Nord Stream. Megjithatë, Berlini jo vetëm që qëndron i heshtur, por ndan planin për të përshpejtuar hyrjen e Ukrainës në BE. Mund të ketë gjasa se vizioni i Angela Merkelit ishte i gabuar dhe i pakujdesshëm. Është e lehtë sot të konsiderohet gabim ideja e forcimit të lidhjeve me Moskën. Megjithatë, është e vështirë të thuhet nëse me një Gjermani më aktive Vladimir Putin nuk do të kishte bërë të njëjtat zgjedhje fatkeqe.

Një rast tjetër i nihilizmit evropian është ai i Palestinës. Qasja ndaj krizës ishte skizofrenike. Fundamentalizmi pro-izraelit i mishëruar nga Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen (e pazgjedhur nga qytetarët) u kontrastua me reagimin e përcjellë nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme. Për një Spanjë të vendosur të mbajë Tel Avivin përgjegjës për masakrat në Gaza, ekziston një Gjermani që po përjeton një lloj psikodrame dhe shkon aq larg sa ndalon çdo demonstratë pro-Palestinës. Ndërkohë, Von der Leyen shkoi në Egjipt për t'i premtuar vendit 9 miliardë euro. Skena po përgatitet për një eksod masiv nga Gaza që do ta linte rripin "të lirë" e palestinezët do të zhvendoseshin në Egjipt. Sigurisht, ky qëndrim dhe ndrojtja e Brukselit në kufizimin e reagimit izraelit gërryen besueshmërinë e mbetur ndaj një Unioni që pëlqen t'i paraqitet botës si mbrojtës dhe kampion i të drejtave të njeriut.

Rrallëherë kalohet nga deklaratat në fakte, por tani s'ka as fjalë. Le të kthehemi te ekonomia, “biznesi kryesor” i Unionit. Edhe këtu ka pak për të qenë të lumtur. Pak vizion, pak impulse, një rikthim në të shkuarën. Të gjitha ose pothuajse të gjitha borxhet publike janë rritur dhe, midis ekonomistëve, nuk ka më një konsensus (nëse ka ekzistuar ndonjëherë) se çfarë niveli borxhi është i tolerueshëm për një shtet.

Pozicioni i Italisë, e cila të paktën do të donte të përjashtonte nga llogaritja e borxhit investimet në tranzicionin e gjelbër, duket i arsyeshëm. 

Përkthyer nga Ilfattoquotidiano

Poll

MOS HUMB