
PRISHTINË – Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë (MPJD) ka dënuar ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për lirimin e tyre. MPJD shprehet me anë të një reagimi për mediat se mbrëmjen e 5 janarit, Serbia ka arrestuar dy shtetas të Kosovës, Hasan Dakën dhe Xhavit Dakën. Ministria e Jashtme në Kosovë deklaron se Xhavit Daka është liruar, ndërsa shton se për incidentin kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, ambasadën amerikane dhe atë britanike.
“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ministria shprehet se dënon ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,- thuhet më tej në njoftim.
Ministria e Jashtme në Kosovë deklaroi se do u drejtohet autoriteteve të Serbisë me një kërkesë, për të lejuar shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jasharin, që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.
“Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe. MPJD do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë. Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, thuhet në fund të njoftimit.
Hasan dhe Xhavit Daka u arrestuan nga autoritetet serbe teksa po iknin jashtë vendit, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Xhavit Daka është liruar, ndërsa Hasan Daka jo. Ata kanë qenë ushtarë të UÇK-së./ZËRI/