
SHBA- Ndërsa medikamentet e miratuara për Alzheimer premtojnë njëfarë ngadalësimi të shkatërrimit të kujtesës si shkak i sëmundjes, trajtimet aktuale nuk janë aspak efektive në rikthimin e kujtesës. Së fundmi një grup shkencëtarësh nga Instituti Amerikan Buck për Kërkimin e Plakjes propozon një strategji alternative në këtë drejtim.
Studiuesit u fokusuan në një proteinë të quajtur KIBRA, e cila gjendet në veshka dhe tru. Në tru gjendet në lidhjet ndërmjet neuroneve, të cilat lejojnë formimin dhe rikthimin e kujtimeve. Ata zbuluan se truri me sëmundjen Alzheimer kishte mangësi në KIBRA. Ata zbuluan gjithashtu se kjo proteinë mund të ndryshojë dëmtimin e kujtesës të lidhur me Alzheimer.
Studiuesit argumentojnë në botimin e tyre në Journal of Clinical Investigation se KIBRA mund të përdoret si një trajtim për të përmirësuar kujtesën pas fillimit të humbjes së kujtesës, edhe pse proteina toksike TAU që shkaktoi dëmin mbetet.
Çfarë është Sëmundja e Alzheimerit?
Sëmundja e Alzheimerit është një çrregullim i trurit që shkakton një rënie progresive në aftësitë e kujtesës, të të menduarit, të të mësuarit dhe organizimit. Ai përfundimisht ndikon në aftësinë e një personi për të kryer aktivitetet bazë të përditshme. Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i zakonshëm i demencës. Simptomat e Alzheimerit përkeqësohen me kalimin e kohës. Studiuesit besojnë se procesi i sëmundjes mund të fillojë 10 vjet më përpara se të shfaqen simptomat e para. Sëmundja e Alzheimerit më së shpeshti prek njerëzit mbi 65 vjeç. /ZËRI