Bota

Akuzoi UÇK-në për trafikim organesh, ndahet nga jeta Dick Marty

Kujtojmë se kohë më parë Marty pretendoi se shërbimet sekrete serbe kishin dhënë para për ta vrarë dhe më pas t’ua linin fajin shqiptarëve.

f.t
Akuzoi UÇK-në për trafikim organesh, ndahet nga jeta Dick Marty
Dick Marty

ZVICËR-Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 78-vjeçare. Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut. 

Ish-senatori dhe prokurori zviceran është një figurë e njohur për shqiptarët. Në vitin 2010, Marty publikoi një raport mbi trafikimin e supozuar të organeve në Kosovë që implikonte UÇK-në. Si pasojë e raportit të tij u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë.

Kujtojmë se kohë më parë Marty pretendoi se shërbimet sekrete serbe kishin dhënë para për ta vrarë dhe më pas t’ua linin fajin shqiptarëve. Sipas tij, ishte vënë nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve me jetë.

Kërcënimi me vdekje nga Serbia

Mediat vendase shkruajnë se sipas një hetimi të Focus, që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ish-prokurori, këshilltar shtetëror, dhe raportues për Këshillin e Evropës është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe. Sipas hetimeve, gjithçka ka nisur gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, kohë kur vetë Marty ka deklaruar se ka marrë një telefonatë përmes të cilës është sinjalizuar se i rrezikohej jeta.

FedPol konsideron se ai është në rrezik të shkallës 5, maksimumi dhe i ofron të ndryshojë identitetin dhe adresën, por ai nuk e ka pranuar këtë gjë. Shtëpia e tij është e mbushur me kamera dhe e pajisur me alarme dhe një dhomë të sigurt, ku Dick Marty duhet të strehohet në rast sulmi. Aty pranë ndodhet policia, por me rroba civile. Gjatë udhëtimeve të tij të rralla, Dik Marty vesh një jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga automjete policie.

Sipas Dick Marty, kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, ta likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin shqiptarëve të Kosovës. Për rastin në fjalë, Ministria Publike nuk ka lëshuar një letër kërkesë dhe FDFA nuk ka ndërmarrë asnjë veprim diplomatik me Beogradin.

Kush ishte Dick Marty

Marty lindi në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995. I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit.

Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.

Në emër të komitetit, ai hetoi burgjet sekrete të CIA-s në Evropë, duke publikuar një raport në vitin 2006 që thoshte se 14 vende kishin bashkëpunuar me SHBA-në në një “rrjetën e merimangës” të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Marty tha se vende të tjera, përfshirë Zvicrën, ishin përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në ndalimin ose transferimin e personave të panjohur.

Kryeministri Edi Rama, në tetor në Këshillin e Evropës, kërkoi anulimin e raportit të Dick Marty-t për trafikun e organeve në Shqipëri dhe Kosovë, duke theksuar se ai është ‘Fake news’ më i rëndë në histori që baltos luftën e një kombi për liri./ZËRI

Poll

MOS HUMB