
ITALI- Prifti i Rivisondolit është përfshirë në një aksident rrugor mbrëmjen e së dielës, ku mbeti i plagosur por ajo çfarë u zbulua më pas e çoi në dyert e komisariatit rajonal, shkruajnë mediat italiane.
Makina e drejtuar nga prifti, me origjinë kolumbiane, një Toyota u shkatërrua nga përplasja me një automjet tjetër në autostradën 17. Prifti, pas aksidentit të ndodhur në orën 23:00, doli pozitiv për marrjen e kokainës. Atij më pas i është hequr patenta dhe është denoncuar për drejtim mjeti nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Peshkopi i dioqezës Sulmona Valva, Michele Fusco, do të mbledhë kolegjin e konsulentëve për masat që do të merren. Kjo nuk është hera e parë që famulltari futet në telashe me karabinierët. Në tetor 2022, ai u përfshi në një tjetër aksident dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke u justifikuar se duhej të kremtonte meshën, por më vonë ndaj tij nisi një hetim./ZËRI