SHBA-Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve kanë miratuar një projekt-ligj që mund të ndalojë TikTok për përdoruesit në SHBA. Projektligji kërkon që 'ByteDance', kompania mëmë e Tik Tok, të shesë aplikacionin e mediave sociale ose të përballet me një ndalim në të gjitha pajisjet amerikane. Ligjvënësit kanë frikë se të dhënat nga përdoruesit amerikanë të aplikacionit do të përdoren nga qeveria kineze.
Nuk është ende e qartë se cili do të jetë fati i projektligjit në Senat, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se ai do ta nënshkruajë projektligjin nëse kalon në Senat. Sidoqoftë, në praktikë, ligji do të ndalonte Tik Tok në Shtetet e Bashkuara. Si kompania ashtu edhe Kina, historikisht, kanë refuzuar të marrin në konsideratë shitjen. Janë afërsisht 170 milionë përdorues amerikanë që përdorin Tik Tok, duke përfshirë Presidentin Joe Biden.
Projektligji përcakton gjithashtu një proces që presidenti të adresojë çdo kërcënim të ardhshëm nga çdo aplikacion në pronësi të huaj, nëse ato konsiderohen si rrezik për sigurinë kombëtare. Ai gjithashtu krijon një sistem që përdoruesit të shkarkojnë të dhënat e tyre dhe të kalojnë në një platformë alternative.
Tik Tok ka thënë se ndalimi i një platforme të mediave sociale do të përbënte shkelje të të drejtave të fjalës së lirë të miliona amerikanëve, shkruajnë mediat e huaja. Senatori republikan i Misurit, Josh Hawley, mbështet projektligjin e Dhomës së Përfaqësuesve. Ai thotë se është i irrituar që Kongresi ka dështuar të lëvizë legjislacionin e teknologjisë dhe argumenton se TikTok është i ndryshëm nga aplikacionet e tjera.
Arsyeja me të vërtetë e vetme për ta ndaluar është një shqetësim i madh për sigurinë kombëtare dhe kjo e bën Tik Tok shumë të ndryshëm nga Google dhe Meta dhe të tjerët që bëjnë të gjitha llojet e gjërave të këqija, por nuk janë degë efektive të një qeverie të huaj armiqësore./ZËRI