
ROMË- Presidenti i Italisë Sergio Mattarella iu përgjigj Elon Musk duke thënë se vendi i tij është demokratik dhe di si të kujdeset për veten, pas komenteve të miliarderit për marrëveshjen me emigrantët. Musk, përmes një postimi në rrjetin e tij social “X” tha se gjyqtarët e Gjykatës së Romës që dërguan çështjen e emigrantëve në Gjykatën Evropiane duhet të japin dorëheqjen.
"Italia është një vend i madh demokratik dhe duhet të ritheksoj, se di të kujdeset për veten në përputhje me Kushtetutën e saj. Çdokush, veçanërisht nëse, siç është paralajmëruar, do të marrë një rol të rëndësishëm qeveritar në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin e vendit dhe nuk mund të marrë përsipër detyrën për t'i dhënë Italisë “mend”", tha Sergio Mattarella.
Por, nuk vonoi shumë dhe Musk reagoi sërish duke thënë se kjo deklaratë është e papranueshme.
"Kjo është e papranueshme. A jeton populli italian në një demokraci apo është një autokraci e pazgjedhur që merr vendime?” shkruan Musk.
Po ashtu edhe Giorgia Meloni mbështeti kundërpërgjigjen e presidentit të Italisë duke thënë se ne respektojmë fjalët e tij.
“Ne gjithmonë dëgjojmë me shumë respekt fjalët e Presidentit të Republikës”, tha Meloni. /ZËRI