
IZRAEL- Nga Frank Gardner, korrespondenti i sigurisë së BBC-së
“Nuk e kemi idenë se si mund të ketë ndodhur kjo”. Ky është reagimi që kanë dhënë sot zyrtarët izraelitë kur i pyes se si, me gjithë burimet e saj të mëdha, inteligjenca izraelite nuk e Parashikoi këtë sulm që po vinte. Dhjetëra persona të armatosur palestinezë ishin në gjendje të kalonin kufirin e fortifikuar mes Izraelit dhe Rripit të Gazës, ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza në Izrael.
Me përpjekjet e kombinuara të Shin Bet, inteligjencës së brendshme izraelite, Mossad-it, agjencisë së saj të jashtme të spiunazhit dhe të gjitha aseteve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, është sinqerisht befasuese që askush nuk vuri re asgjë.
Ose nëse e kanë bërë, nuk kanë arritur të veprojnë...
Izraeli ka pa dyshim shërbimet më të gjera dhe më të mirëfinancuara të inteligjencës në Lindjen e Mesme. Ka informatorë dhe agjentë brenda grupeve militante palestineze, në Liban, Siri e kudo.
Në të kaluarën, Izraeli ka kryer atentate në kohën e duhur të liderëve militantë, duke i ditur nga afër të gjitha lëvizjet e tyre.
Disa here, këto sulme janë bërë me dron, pasi agjentët kanë vendosur një gjurmues GPS në makinën e një individi; ndërsa herë të tjera janë përdorur edhe telefona celularë për të mundësuar shpërthimin.
Në terren, përgjatë gardhit të tensionuar kufitar midis Gazës dhe Izraelit ka kamera, sensorë të lëvizjes në tokë dhe patrulla të rregullta të ushtrisë.
Gardhi me tela me gjemba supozohet të ketë qenë një "pengesë e zgjuar" për të parandaluar pikërisht atë që ndodhi sot.
Megjithatë, militantët e Hamasit ia dolën ta ‘thyejnë’. Për t'u përgatitur dhe kryer një sulm i tillë i koordinuar, kompleks, e që përfshin grumbullimin dhe lëshimin e mijëra raketave, pikërisht nën hundën e izraelitëve, duhet që Hamasi të ketë marrë nivele të jashtëzakonshme të sigurisë operacionale nën kontroll. Kush tradhëtoi?
Ajo që duhet theksuar është që ky sulm vjen në një datë domethënëse, në 50-vjetorin e një sulmi tjetër të befasishëm nga armiqtë e Izraelit në atë kohë, lufta e Yom Kipurit e ndodhur në tetor të vitit 1973.
Zyrtarët izraelitë më thonë se ka filluar një hetim i madh lidhur me këtë gjë.
Por, tani shqetësimi më i madh për Izraelin është ky: si do t’ia dalë të ndalojë që të tjerët t'i përgjigjen thirrjes për armë të Hamasit dhe të shmangë përhapjen e luftës në Bregun Perëndimor dhe ndoshta edhe të tërheqë luftëtarët e Hezbollahut të armatosur rëndë përtej kufirit të tij verior me Libanin?