
IZRAEL- Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se vendi i tij është në luftë, pasi militantët palestinezë e sulmuan me një breshëri raketash vdekjeprurëse dhe dërguan njerëz të armatosur në territorin izraelit në një përshkallëzim të madh të konfliktit afatgjatë midis dy palëve .
Autoritetet izraelite thonë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe rreth 800 të tjerë janë plagosur në sulmin e papritur herët në mëngjes. Autoritetet palestineze thanë se rreth 200 njerëz u vranë pasi Izraeli nisi sulmet ajrore. Luftimet vazhdojnë ende në terren.
Detajet kryesore:
Hamasi merr përgjegjësinë: Hamasi, lëvizja militante palestineze që drejton Gazën, ka marrë përgjegjësinë për inkursionin. Militantët hodhën më shumë se 2000 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael, sipas ushtrisë izraelite, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Izraelin jugor nga toka, deti dhe ajri, duke përdorur paragliderë. Hamasi thotë se ka kapur disa ushtarë izraelitë pranë kufirit, por ushtria izraelite nuk i ka konfirmuar zyrtarisht raportet.
Përgjigja e ushtrisë izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën sulme kundër një numri objektivash të Hamasit në Gaza, thanë udhëheqësit ushtarakë. Forcat e IDF po luftojnë në terren në të paktën gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë disa fshatra, dy baza ushtarake dhe pika kufitare, tha një zëdhënës.
Çfarë thotë Netanyahu: Kryeministri izraelit është zotuar se Hamasi do të "paguajë një çmim që nuk e ka ditur kurrë" për sulmin. “Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion, jemi në luftë,”- tha ai në një video-mesazh.
Skena në terren: Banorët e dy komuniteteve izraelite i thanë stacionit televiziv Channel 12 se sulmuesit nga Gaza po përpiqen të hyjnë në shtëpitë e tyre. Ata janë lutur vazhdimisht në TV për ndihmë nga ushtria izraelite. Ndërkohë, IDF ka publikuar video, ku pretendhet se duken sulmet ajrore ndaj objektivave të Hamasit në Gaza.
Alarm në të gjithë botën: Zyrtarët amerikanë e kanë parë me shqetësim sulmin në shkallë të gjerë. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Netanyahu pritet të flasin së shpejti .
Një datë domethënëse: Sulmi i befasishëm erdhi në 50-vjetorin e Luftës së 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre.
Një hartë e vendit ku po zhvillohen luftimet: