
LONDËR- 5 vite pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, 3 në 10 qytetarë besojnë se kjo është zgjedhja e duhur, ndërsa shumë të tjerë duan rikthimin e BE-së. Sipas një sondazhi të kryer nga “YouGov”, 5 vjet pasi vendi u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, pas referendumit të vitit 2016, në të cilin 56% e britanikëve votuan 'po', tashmë duan bashkimin me BE-në.
Më 31 janar 2020, pas vitesh negociatash të vështira, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë që u largua nga Bashkimi Evropian. Por pesë vjet më vonë, vetëm 30% e britanikëve thonë se vendi bëri gjënë e duhur duke votuar për t'u larguar nga blloku evropian, sipas një sondazhi të YouGov, ku morën pjesë 2,225 njerëz. Ky është, sipas institutit, niveli më i ulët i mbështetjes për Brexit të regjistruar ndonjëherë.
Në mesin e britanikëve që votuan për Brexit, një në gjashtë (18%) mendon se largimi nga BE ishte një gabim. Megjithatë, kjo përqindje rritet në 55% në mesin e të gjithë të anketuarve. Vetëm 11% e të anketuarve besojnë se Brexit ishte një sukses për vendin.
55% duan të ribashkohen në BE
Pothuajse 55% e qytetarëve të anketuar janë në favor të ribashkimit të vendit në Bashkimin, duke përfshirë 20% të atyre që votuan për Brexit. Midis tyre, 39% e të anketuarve e mbështesin “fuqishëm” këtë kthim. Pas vitesh tensionesh me Brukselin nën qeverinë e mëparshme konservatore, kryeministri Keir Starmer ka premtuar një rifillim të marrëdhënieve midis Londrës dhe Brukselit.
Udhëheqësi i laburistëve Keir Starmer, i cili votoi për të mbetur në BE në referendumin e 2016, megjithatë ka përjashtuar çdo kthim në Bashkimin Evropian. 31 janari 2020 ishte data e tërheqjes formale të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, e cila hyri në fuqi të plotë më 31 dhjetor 2020 pas një periudhe tranzicioni. /ZËRI