
MOSKË- Autoritetet ruse kanë njoftuar se Armen Sarkisian, themeluesi i një batalioni ushtarak armenë që lufton në Ukrainë është vrarë në një shpërthim në një kompleks ku kanë ndërruar jetë disa persona. TASS bën me dije se Sarkisan u vra teksa po shkonte në banesën e tij, në momentin kur shpërtheu një bombë. Në lidhje me këtë sulm, askush nuk ka marrë përgjegjësi, ndërsa autoritetet ruse po hetojnë sulmet.
I lidhur me familjen e ish-presidentit të arratisur Viktor Yanukovich dhe në krye të “titushki” (provokatorëve) që në vitin 2014 përplaseshin me rebelët e Euromaidanit, për Kievin, Sarkisjan ishte një bos i botës së krimit në Donetsk, i njohur me emrin “Gorlovskij”.
Ai ishte kreu i Federatës së Boksit të Rajonit Donetsk, si dhe qendrës së stërvitjes ushtarake Gorlovka. Në shtator 2022, ai themeloi një njësi të forcave speciale të quajtur ArBat, Batalion Armen: një grup i lëvizshëm i trupave sulmuese nën komandën e mercenarit të atëhershëm të Wagner, Ajk Gasparjan, i njohur me emrin e luftës si Arbek.
Ai është akuzuar shpesh nga Ukraina se qëndron pas protestave të dhunshme në Kiev në vitin 2014. Sipas Ukrainës, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.
Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90. Në dhjetor, një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij. /ZËRI