
SHBA- Miliarderi amerikan Elon Musk, i cili u emërua në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), ka marrë një masë drastike; ka bindur presidentin amerikane Donald Trump që të "mbyllë" USAID-in, Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Por jo vetëm kaq! Presidenti Trump e ka cilësuar USAID-in si një "grup radikal të çmendurish", duke njoftuar edhe një ngrirje ndaj ndihmave që SHBA jep për vendet e huaja.
"USAID drejtohet nga një grup i çmendurish radikalë dhe ne po i largojmë ata nga pushteti, dhe më pas do të marrim një vendim për të ardhmen e tij"- tha ai kur u pyet për një koment.
Çfarë tha Musk?
Musk tha se diskutoi çështjet e lidhura me USAID-in me presidentin Trump deri në detaje dhe kontrolloi me të disa herë të gjitha faktet, vetëm për t'u siguruar që vendimi që po merrnin ishte i duhuri. Sipas Musk, edhe Trump kishte rënë dakord me të. Drejtori i Përgjithshëm i Tesla dhe SpaceX akuzoi agjencinë përgjegjëse për ofrimin e ndihmës civile të huaj dhe asistencës zhvillimore se ishte "tepër e njëanshme politikisht" në vendet që ofronte ndihmë, por nuk dha shembuj konkretë.
"Dua të mbyll USAID-in sepse është një "tas me krimba" pa asnjë mollë brenda, ndaj dua të heq qafe gjithçka sepse dëmi është i pariparueshëm. USAID është një organizatë kriminale...ka ardhur koha që të "vdesë"."
Musk ka akuzuar USAID për korrupsion, pasi sipas tij me fondet që ka shpërndarë. Sipas Musk, organizata ka përdorur 20 milionë dollarë për të korruptuar gazetarë, në mënyrë që të gërmojnë papastërti mbi politikanë. Musk ka akuzuar USAID dhe për krijimin e një organizate kriminale; e gjithashtu dërgoi 53 milionë dollarë për Aleancën EcoHealth, e cila më pas përdori fondet e taksapaguesve amerikanë për të mbështetur kërkimin fitimprurës mbi koronaviruset në laboratorin e Wuhan-it, kërkime që ka të ngjarë të çojnë në krijimin e COVID-19.
Pjesë e "projekteve" të USAID ishte dhe Shqipëria. Aktivistja Merissa Hansen ka nxjerr një dokument ku vërteton se fondet e kësaj agjencie, që duhet të shkonin për të ndihmuar Palestinën, në fakt shkuan për miliarderin George Soros. Sipas Hansen, Soros i ka përdorur këto fonde nëpërmjet fondacionit të tij 'Shoqërisë së Hapur' për të ndikuar në politikën shqiptare dhe në Maqedoninë e Veriut.
Postimi i Plotë:
USAID i dha afro 15 milionë dollarë Fondacionit Shoqëria e Hapur të George Soros vetëm gjatë katër viteve të fundit në detyrë të Obamës, i cili kryen një punë të gjerë në rajonin e Bregut Perëndimor/Palestinës - megjithatë financimi ishte kryesisht për operacionet e Soros në Shqipëri dhe Maqedoni. Kishte pretendime se Soros, përmes Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur, ka ndikuar në politikën maqedonase, veçanërisht me pretendimet për financim që synojnë mbështetjen e partive politike ose axhendave me prirje të majtë. Ky ndikim u përdor për të nxitur trazira politike ose për të nxitur ndryshimin e regjimit, veçanërisht gjatë krizës politike në Maqedoni rreth viteve 2015-2017. Në një letër të marsit 2017, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rex W. Tillerson, gjashtë senatorë amerikanë i bënë thirrje sekretarit të hetonte marrëdhëniet midis USAID-it dhe Fondacioneve Soros dhe se si dollarët e taksave të SHBA-së po përdoren nga Departamenti i Shtetit dhe USAID për të mbështetur të majtën, duke kërkuar që të imponojnë politika të majta në vende si Maqedonia dhe Shqipëria.
Letra e demokratëve të Senatit drejtuar Rubios
Demokratët e Senatit i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të dielën, duke kërkuar përgjigje për një vizitë të përfaqësuesve të DOGE në USAID. Ata shprehën shqetësimin se përfaqësuesit mund të kenë pasur akses në të dhënat e qytetarëve amerikanë dhe në disa zona të klasifikuara, gjë që mund të rrezikojë sigurinë kombëtare. Demokratët shkruan se kishin marrë indicie se disa individë që e kishin identifikuar veten si punonjës të DOGE kishin akses në zona të klasifikuara.
"Ne e kuptojmë se rojet që ishin të pranishëm në objekt por u kërcënuan kur bënin pyetje,"- thuhej në një letër të shkruar nga senatorja Jeannie Shaheen, një anëtare e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA (SFRC) dhe anëtarëve demokratë të SFRC.
Por vendimi duket se është marrë! Madje, qeveria amerikane ka mbyllur edhe faqjen e internetit të USAID-it. Tashmë nëse kërkon të futesh, del vetëm një mesazh: Kjo faqe nuk është e disponueshme!

Aktualisht, fondet e USAID janë ndërprerë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, përmes së cilës merrnin fonde një sërë institucionesh shtetërore. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në uebsajtin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, ku tashmë është fshirë e gjithë përmbajtja lidhur me USAID-in.

Po ashtu, sipas burimeve të CNN, personeli u njoftua të punojë nga distanca, përveç atyre që kryejnë funksione thelbësore në ndërtesë. Të gjithë punonjësit u njoftuan me e-mail pak pas mesnatës që të mos paraqiteshin në punë.
“Sipas udhëzimeve të drejtuesve të Agjencisë, selia e USAID në ndërtesën Ronald Reagan në Uashington, D.C. do të jetë e mbyllur për personelin e Agjencisë të hënën, më 3 shkurt 2025. Personeli i caktuar normalisht të punojë në selinë e USAID do të punojë nga distanca nesër, me përjashtim të personelit me funksione thelbësore në terren dhe mirëmbajtje të ndërtesës, të cilët do të kontaktohen individualisht nga drejtuesit e lartë,”- thuhej në e-mail, një kopje e të cilit është siguruar nga CNN.
Po ashtu, dy zyrtarë të sigurisë në USAID u pezulluan administrativisht pasi refuzuan t’u jepnin akses në sistemet e agjencisë anëtarëve të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE). Por sqarimin e dha Katie Miller, e cila u emërua në bordin këshillues të DOGE nga Trump në dhjetor, duke u shprehur se nuk kishin prekur asnjë material të klasifikuar pa lejen e duhur të sigurisë.
Aksioni ka nisur më herët! Rreth 60 punonjës të lartë të USAID u pezulluan javën e kaluar nën akuzën se kishin tentuar të anashkalonin urdhrin ekzekutiv të Trump për ngrirjen e ndihmës së huaj për 90 ditë. Shumë punonjës të tjerë më të ulët në hierarki dhe kontraktorë gjithashtu janë pezulluar.
USAID u krijua në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe është krahu humanitar i qeverisë amerikane. Agjencia shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë, trajtimin e sëmundjeve dhe reagimin ndaj urisë dhe fatkeqësive natyrore. Ajo gjithashtu promovon ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin përmes mbështetjes së organizatave joqeveritare, mediave të pavarura dhe nismave sociale./ZËRI