
GREQI- Po mbushen 72 orë dhe frika e paniku nuk ka ikur ende nga Santorini! Në ishullin e bardhë që çdo verë pret turistë duket se nuk kanë fund lëkundjet e tokës që përsëriten çdo 5 minuta. Në këto kushte, e gjithë Greqia është në këmbë për të ndërhyrë në rast se ishulli do të tundet nga një tërmet i fuqishëm që mund të pasohet nga një cunami dhe shpërthim vullkanik.
Por çfarë po ndodh në Santorini?
Si pjesë e marrjes së masave urgjente, shkollat në Santorini, si dhe në Amorgos, Paros, Antiparos dhe Naxos janë mbyllur. Ndërsa biletat e avionëve dhe trageteve janë blerë për çështje sekondash pasi shumë prej banorëve të ishullit kanë zgjedhur që të largohen nga frika e një tërmeti të fuqishëm.
Për ata që kanë zgjedhur që të qëndrojnë në ishull janë ngritur çadra në vende të hapura. Për çdo rast në ishull janë dërguar drone dhe qen shpëtimi. Në varësi të asaj që do të ndodhë, në ishull do të ketë ndihma shtesë.
Lëkundjet kanë shkaktuar edhe rrëshqitje dherash në disa zona të ishullit, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.
Situata në ishull ka shkaktuar panik edhe tek turistë. Siana dhe Osvaldo, një çift nga Meksika, ndodhen në Santorini për një qëndrim të shkurtër dy-ditor, por dridhjet e vazhdueshme sizmike i kanë tmerruar.

“Kam qarë gjithë natën sepse kisha shumë frikë dhe nuk dija çfarë të bëja. Ndiheshim sikur toka nuk ishte e qëndrueshme, nuk e dinim nëse do të vinte një tërmet më i madh. Të gjithë na thoshin të qëndronim të qetë, por si mund të qëndroni të qetë kur toka dridhet përsëri dhe përsëri?,"-tha turistja për mediat greke.
Por edhe pse nga Brukseli ku ka shkuar në samitin joformal të liderëve të BE-së, kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka bërë thirrje për qetësi. Ai deklaroi se ka kërkuar nga ministria kompetente që të bëjë një prezantim shkencor gjithëpërfshirës të të dhënave gjeologjike në mënyrë që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për fenomenin dhe për gjithçka që duhet për t'u menaxhuar.
"Ne po përballemi me një fenomen intensiv - banorët e ishullit duhet të jenë të qetë", tha kryeministri.
Frika është se mund të përsëritet ngjarja e vitit 1925, kur shpërtheu vullkani i Santorinit. I gjithë shpërthimi u filmua nga Georgios Georgalas, profesor i Mineralogjisë. Asokohe pati një varg tërmetesh të vogla që paralajmëruan rizgjimin e vullkanit, ndaj edhe tani ka frikë se mund të ndodhë e njëjta gjë./ZËRI