
SHBA-Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi kryediplomati amerikan.
Demokratët e Senatit i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të dielën (2 shkurt), duke kërkuar përgjigje për një vizitë të përfaqësuesve të DOGE në USAID. Ata shprehën shqetësimin se përfaqësuesit mund të kenë pasur akses në të dhënat e qytetarëve amerikanë dhe në disa zona të klasifikuara, gjë që mund të rrezikojë sigurinë kombëtare. Demokratët shkruan se kishin marrë indicie se disa individë që e kishin identifikuar veten si punonjës të DOGE kishin akses në zona të klasifikuara.
Lëvizja vjen pas raportomeve se Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll agjencinë kryesore të Uashingtonit për ndihmë ndërkombëtare, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare. Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare. Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.
Musk ka akuzuar USAID për korrupsion. Sipas Musk, organizata ka përdorur 20 milionë dollarë për të korruptuar gazetarë, në mënyrë që të gërmojnë papastërti mbi politikanë. Musk ka akuzuar USAID dhe për krijimin e një organizate kriminale; e gjithashtu dërgoi 53 milionë dollarë për Aleancën EcoHealth, e cila më pas përdori fondet e taksapaguesve amerikanë për të mbështetur kërkimin fitimprurës mbi koronaviruset në laboratorin e Wuhan-it, kërkime që ka të ngjarë të çojnë në krijimin e COVID-19.
Presidenti Trump e ka cilësuar USAID-in si një "grup radikal të çmendurish", duke njoftuar edhe një ngrirje ndaj ndihmave që SHBA jep për vendet e huaja.
USAID u krijua në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe është krahu humanitar i qeverisë amerikane. Agjencia shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë, trajtimin e sëmundjeve dhe reagimin ndaj urisë dhe fatkeqësive natyrore. Ajo gjithashtu promovon ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin përmes mbështetjes së organizatave joqeveritare, mediave të pavarura dhe nismave sociale./ZËRI