
HOMS- Një sulm me dron në një akademi ushtarake siriane në Homs ka vrarë të paktën 100 persona. Nëntë civilë ishin në mesin e atyre që vdiqën, kur dronët që mbanin eksplozivë shënjestruan një ceremoni diplomimi, ku morën pjesë familjet e kadetëve.
Ushtria fajësoi "grupet terroriste të mbështetura nga forcat ndërkombëtare". Sulmi me dron besohet të jetë nisur nga zonat e kontrolluara nga opozita në veri-perëndim të Homsit.
Më herët, u raportua se pesë civilë ishin vrarë nga sulmet e ushtrisë së vendit në disa qytete, qyteza dhe fshatra që kontrollohen nga opozita në provincën Idlib.
"Agresioni në akademinë ushtarake rezultoi në vdekjen e disa civilëve dhe personelit ushtarak dhe plagosjen e dhjetëra familjarëve të ftuar, si dhe disa studentëve pjesëmarrës", tha Observatori Sirian i Drejtave të Njeriut. Forcat e armatosura deklaruan se e konsiderojnë këtë ngjarje, si një akt kriminal të paprecedentë dhe shprehen se do t'i përgjigjet me forcë dhe vendosmëri të plotë këtyre grupeve terroriste kudo që ndodhen.
Observatori Sirian, një grup monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që ka një rrjet burimesh në terren, tha se shumica e të vrarëve ishin personel ushtarak dhe se një fëmijë i një oficeri dhe një gruaje ishin midis viktimave. 140 persona të tjerë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.
Gjithashtu raportohet se ministri i mbrojtjes i Sirisë mori pjesë në ceremoninë e diplomimit, por ai u largua disa minuta para sulmit.
Më shumë se gjysmë milionë njerëz janë vrarë nga lufta civile që shpërtheu pasi presidenti Bashar al-Assad shtypi dhunshëm demonstratat paqësore pro-demokratike në vitin 2011. Rreth 6.8 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa 6 milionë të tjerë janë refugjatë ose azilkërkues jashtë vendit. /Zëri.ai/