
LETONI - Një punonjëse civile të sulmuar seksualisht nga një ushtar i NATO-s, i është thënë se ajo duhet ta kishte kuptuar se përballej me rreziqe, kur pranonte një punë në mbështetje të misionit ushtarak të Kanadasë në Letoni.
Kristen Adams ka kërkuar përgjigje nga udhëheqja e lartë e ushtrisë, duke përfshirë shefin e shtabit të mbrojtjes, gjeneralin Uayne Eyre, në lidhje me sulmin seksual me të cilin u përball gjatë punës në mensën e ushtrisë në Letoni. Raportet dhe dokumentet e policisë ushtarake kanadeze vunë në dukje se Adams u sulmua seksualisht, kur një ushtar shqiptar i kapi gjoksin, në një incident që ka ndodhur më 3 dhjetor 2022.
Adams, ishte punësuar nga një organizatë, që ofron programe dhe shërbime për ushtarakët. Sulmi ndaj Adams ndodhi në kampin Adazi pranë kryeqytetit të Letonisë, Riga. Por në një letër që mban datën 10 maj 2023, kompania i tha Adams se ajo duhet të kishte kuptuar se mund të ishte përballur me një incident të tillë, kur ajo nënshkroi për këtë punë.
“Siç ju informuam, duke qenë se ambienti ka persona nga etni të ndryshme të botës, dallimet kulturore mund të çojnë në një mjedis jo të përshtatshëm. Ju morët përsipër një rrezik të caktuar për të punuar në këtë mjedis", ishte përgjigja e organizatës.
Adams tha se ishte e neveritur nga përgjigja. “Që kur është konsideruar sulmi seksual si pjesë e dallimeve kulturore apo pjesë e një përshkrimi pune?” ajo tha. “Po ma vënë fajin mua, duke pretenduar se duhet ta kisha ditur se mund të sulmohesha seksualisht në vendin e punës”. Adams beson se ushtria kanadeze dhe kompania për të cilën ajo punonte po përpiqen të mbyllin çështjen. "Ata nuk duan që kjo çështje të bëjë bujë", tha ajo.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi në korrik se si pjesë e një angazhimi ndaj NATO-s, Kanadaja do të shpenzonte 2.6 miliardë dollarë të tjerë për të dyfishuar numrin e trupave që ka vendosur në Letoni. Kanadaja aktualisht ka afërsisht 1000 persona si personel ushtarak në shtetin letonez.
Adams e raportoi incidentin në policinë ushtarake kanadeze në kamp, pak pasi ndodhi. Ajo deklaroi se ishte duke punuar në mensën e njohur si Commons, kur pa një ushtar shqiptar, të cilin e njihte. Të dy janë përshëndetur, por më pas shqiptari e kapi nga gjoksi.
Policia ushtarake kanadeze i tha Adams se, sipas rregullave të NATO-s, ata nuk kishin juridiksion për të hetuar, edhe pse incidenti ndodhi në një strukturë kanadeze. Policia ushtarake letoneze nisi të shqyrtojë rastin, por Adams theksoi se ata nuk intervistuan asnjë dëshmitar. Intervistat e bëra ishin vetëm me të dhe me ushtarin shqiptar.
Më 14 dhjetor, policia ushtarake letoneze vendosi se nuk do të hetonte më tej. "Nuk u dhanë detaje se pse hetimi ka përfunduar," vunë në dukje dokumentet e policisë ushtarake kanadeze. Megjithatë, policia ushtarake kanadeze krijoi një "dosje hije" më 3 janar 2023 me detajet e incidentit. (Një dosje hije është një dokument i Forcave Kanadeze për një çështje për të cilën ushtria ka interes, por jo kontroll të drejtpërdrejtë.) Këto detaje dhe ai raport nuk e kundërshtojnë versionin e ngjarjeve të Adams. “Më 3 dhjetor 2022, viktima ishte duke punuar si punonjëse civile kur një pjesëtar ushtarak nga një komb tjetër e preku në mënyrë të papërshtatshme dhe pa pëlqim reciprok”, thuhej në raportin e dosjes-hije.
Adams-it iu tha, sipas dokumenteve ushtarake kanadeze, se asaj nuk i lejohej të shihte asnjë dosje hetimore dhe do të duhej të paraqiste një kërkesë për qasje në informacion për t’u informuar. Adams e paraqiti kërkesën dhe mori dokumente të censuruara.
Menjëherë pas sulmit, kontrata e Adams u përfundua dy muaj më herët nga kompania. Ky vendim u mor "për të siguruar që nuk ka rrezik të mëtejshëm për shëndetin e Adams", sipas një letre të 3 shkurtit, dërguar Kristen Adams nga organizata. Kompania i dha asaj 11 833 dollarë, të cilat u paguan për përfundimin e parakohshëm të kontratës./Zëri.ai/