
PAKISTAN - Të paktën 23 ushtarë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Pakistan, pasi militantët sulmuan një kompleks policie. Sulmi ndodhi në orët e hershme, kur një automjet që përmbante eksploziv u përplas në ndërtesë, në provincën Khyber Pakhtunkhua, afër kufirit me Afganistanin.
Një grup militant i lidhur me talebanët pakistanezë ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së martës. Kompleksi po përdorej si një kamp bazë për ushtrinë pakistaneze. Përpara përplasjes së automjetit, disa militantë u përpoqën të hynin në kompleks në zonën Dera Ismail Khan, por dështuan.
Grupi më pas përdori një kamion të ngarkuar me eksploziv për të rrëzuar murin kufitar të kompleksit, i cili u pasua nga një sulm vetëvrasës me bombë, që shkaktoi shembjen e ndërtesës. Ka shqetësime se municioni i ruajtur brenda kompleksit në rrethin Dera Ismail Khan mund të ketë shpërthyer gjithashtu. Një zyrtar tha se shumë njerëz u vranë, ndërsa ishin duke fjetur.
Gjashtë agresorë u vranë. Ushtria e vendit tha se gjithsej 27 militantë u vranë pas operacioneve ushtarake në zonë gjatë natës. Kryeministri i përkohshëm i Pakistanit Anwaar ul-Haq Kakar dhe ministri i Brendshëm në detyrë Sarfraz Bugti e dënuan sulmin. Tahreek-e-Jihad Pakistan (TJP), lëvizje e cila u shfaq në fillim të këtij viti, tha se anëtarët e saj kryen sulmin e së martës.
Sulmet nga grupet militante në Pakistan kanë qenë në rritje, veçanërisht në rajonet e tij kufitare me Afganistanin, pasi grupi militant islamik i linjës së ashpër Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP) u tërhoq nga një armëpushim vitin e kaluar.
Ekspertët thonë se TTP është inkurajuar nga talebanët afganë, pas kthimit të grupit në pushtet në Afganistanin fqinj në vitin 2021. Islamabadi ka pohuar se kryengritësit veprojnë nga zonat përtej kufirit. Talibanët në Afganistan e kanë mohuar vazhdimisht këtë. TTP, ose grupi taliban i Pakistanit, ka luftuar forcat e armatosura dhe policinë e vendit prej vitesh. Grupi ndan të njëjtën ideologji të vijës së ashpër si talebanët afganë, por janë të ndarë prej tij.
Grupi dëshiron të imponojë interpretimin e ligjit të Sheriatit në veriperëndim të Pakistanit. Të paktën 100 njerëz u vranë në një shpërthim me bombë në një xhami në qytetin e Peshawar në janar. Në atë kohë, TTP mohoi se kishte kryer sulmin dhe fajësonte një komandant të një fraksioni separatist./ZËRI/