Bota

Zjarret përfshijnë Greqinë, flakët afrohen pranë Athinës, Mitsotakis: Na presin ditë të vështira

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me “ditë jashtëzakonisht të vështira”, për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe erërave të forta që po favorizojnë përhapjen e zjarreve.

M.K.

 

Zjarret përfshijnë Greqinë, flakët afrohen pranë
FOTO ILUSTRUESE

GREQI- Greqia po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret masive, të cilat kanë përfshirë disa zona të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje dhe toka bujqësore. Autoritetet kanë ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së flakëve edhe pranë zonave periferike të Athinës.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me “ditë jashtëzakonisht të vështira”, për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe erërave të forta që po favorizojnë përhapjen e zjarreve.

Një nga vatrat më problematike ndodhet pranë zonës bregdetare Porto Germeno, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Athinës, ku rreth 500 zjarrfikës po luftojnë me flakët për të penguar afrimin e tyre drejt zonave të banuara. Ndërkohë, operacione të tjera shuarjeje po zhvillohen në Aigialia të Peloponezit dhe në ishullin Kefalonia.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve greke, zjarret kanë djegur mijëra hektarë tokë, ndërsa vetëm në zonën e Gjirit të Korintit dhe Porto Germenos sipërfaqja e prekur dyshohet se ka kaluar 10 mijë hektarë.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, banorë të disa fshatrave janë evakuuar, ndërsa raportohet për dëme në banesa dhe prona private.

Autoritetet greke vijojnë të mbajnë në gatishmëri të lartë shërbimet e emergjencës, pasi zonat e Athinës, Voiotias dhe ishullit EVia konsiderohen me rrezik të lartë për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave të forta./ZËRI

Poll

MOS HUMB