
SHBA- Presidenti i SHBA, Donald Trump ka zgjatur edhe për një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjen e jashtëzakonshme në Ballkan. Dokumenti zyrtar i botuar në Regjistrin Federal thotë se situata në rajonin e Ballkanit vazhdon të paraqesë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Sipas njoftimit, veprimet e individëve që cenojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim në Ballkan vazhdojnë të pengojnë përparimin demokratik dhe procesin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkan, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet përçarëse, dhe situata në Ballkan, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së,"-thuhet në urdhrin e nënshkruar Trump.
Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan. Më 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar.
Në këtë urdhër thuhet se situata në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit duke përfshirë cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas rënies së Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkani pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike./ZËRI