
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump duket se përtej bombardimit të vendeve ku pretendohet se Irani po "ngre" armë bërthamore, ka një tjetër qëllim. Atë të ndryshimit të regjimeve. Në një postim në rrjetin e tij social, "Social Truth", Trump shkruan se është i gatshëm që të mirëpresë rrëzimin e Qeverisë në Teheran. Madje shtoi se ka dëshirë që ta bëjë Iranin Madhështor, të njëjtin slogan që përdori gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Deklarata e tij, erdhi vetëm pak orë pasi anëtarë të administratës së tij ngulën këmbë se sulmet e fundit ndaj Iranit nuk kishin për qëllim të sillnin "ndryshim regjimi". Por Trump duket se ka plane të tjera.
“Politikisht nuk është e pranueshme të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi i tanishëm iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN SËRISH MADHËSHTOR, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!,”- shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, theksoi në NBC se ai është i përkushtuar për një rikthim në bisedime. Vance tha gjithashtu se me sulmet SHBA nuk ka si qëllim përmbysjen e udhëheqjes iraniane. Edhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth theksoi se sulmet e SHBA-së nuk kishin për qëllim rrëzimin e udhëheqjes në Teheran. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA-të janë të afta t'i përgjigjen çdo hakmarrjeje nga Irani. Por duket Trump nuk bie dakord me ta.
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë. Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet kanë shkëmbyer sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit. Nga të dyja palët raportohet për mijëra viktima./ZËRI