KOSOVË-Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Vërmicës, ku ka humbur jetën efektivi i Policisë së Kosovës, Rexhep Zenel Gashi, pasi u godit nga një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:40. Dyshohet se efektivi kishte dal për pak çaste jashtë ambienteve të punës për të marrë ajër të pastër, kur u përplas nga automjeti, duke ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila bëri të ditur se drejtuesi i mjetit është ndaluar me urdhër të prokurorit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.
Trupi i pajetë i policit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit. Në vendngjarje kanë ndërhyrë të gjitha njësitë përkatëse policore dhe ekipi hetimor.
Rexhep Zenel Gashi ishte gjithashtu veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Familjarë, kolegë dhe të afërm kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij, ndërsa kan bërë të ditur se detajet për ceremoninë mortore do të publikohen në vijim.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e aksidentit.