Bota

Takimi Zelensky-Vuçiç në Ukrainë, presidentët dakord për vijimin e dialogut

Takimi mes dy presidentëve u zhvillua në një format të ri të krijuar me synimin për të nxitur bashkëpunimin në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe transportit.

M.K.
Takimi Zelensky-Vuçiç në Ukrainë, presidentët
Volodymyr Zelensky dhe Aleksandër Vuçiç

UKRAINË- Dialogu dypalësh mes Ukrainës dhe Serbisë do të vijojë, këtë e bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një postimi në X, pas takimit me homologun serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të samitit të parë të 'Tetëshes së Karpateve'.

Në qendër të bisedimeve ishte integrimi evropian i dy vendeve, situata e krijuar nga lufta në Ukrainë dhe marrëveshjet e diskutuara gjatë vizitës së Zelenskyt në Beograd rreth një muaj më parë.

“Diskutuam në detaje për integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si dhe për situatën lidhur me sulmet ruse. Do ta vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, tha Zelensky.

Takimi mes dy presidentëve u zhvillua në një format të ri të krijuar me synimin për të nxitur bashkëpunimin në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe transportit. Krahas Ukrainës dhe Serbisë në 'Tetëshen e Karpateve' marrin pjesë Rumania, Polonia, Sllovakia, Çekia, Austria dhe Hungaria.

Pjesëmarrjen e Serbisë në këtë nismë, Zelensky e cilësoi si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

“Është e rëndësishme ta zhvillojmë këtë format të ri takimesh në mënyrë që çdo vend në rajon të gjejë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i nevojiten. Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë”, tha ai.

Samiti synon të krijojë një platformë të përbashkët për çështje që lidhen me sigurinë, tregtinë, energjinë dhe lidhjet e transportit, në një kohë kur rajoni përballet me pasojat e luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë./ZËRI

Poll

MOS HUMB