Bota

Studentët e mundën, Vuçiç 'ra'! Tragjedia e Novi Sadit, pika e kthesës që i dha fund mbretërimit 14-vjeçar

Për më shumë se një dekadë, Aleksandër Vuçiçi ishte figura qendrore e politikës serbe, por mbështetja e tij gjatë viteve të fundit ishte në rënie, ndërsa në zgjedhjet se dielës ai u mund nga "Levizja Studentore".

zh.ll
Studentët e mundën, Vuçiç 'ra'! Tragjedia e
Aleksandër Vuçiç

SERBI- Mbretërimi 14-vjeçar i Aleksandër Vuçiç u rrëzua nga studentët. Për më shumë se një dekadë, Aleksandër Vuçiçi ishte figura qendrore e politikës serbe, por mbështetja e tij gjatë viteve të fundit ishte në rënie, ndërsa në zgjedhjet se dielës ai u mund nga "Levizja Studentore".

Me një rezultat historik, Lista Studentore ka siguruar 52,54% të votave, ose 2.211.400 vota, kundrejt 39,29%, ose 1.653.868 vota, për listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”. Komisioni zgjedhor i Serbisë vlerësoi se pjesëmarrja në votime ishte gati 70%, më e larta që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1992.

Që në përpunimin e rezultateve të para, vetë Vuçiç doli në një konferencë dhe pranoi humbjen. 

Protestat për korrupsion çuan në rrëzimin e Vuçiçit

Vuçiç po kërkonte të bëhej kryeministër i Serbisë pasi shërbeu dy mandate pothuajse të plota si president. Ai dha dorëheqjen nga presidenca muajin e kaluar për të kandiduar për kryeministër.

Pavarësisht protestave, Vuçiç ruajti mbështetje të konsiderueshme midis shumë votuesve të Serbisë. Admiruesit e panë atë si një udhëheqës të aftë që mund ta drejtonte kombin përmes pasigurive globale - një imazh që mediat kryesore e krijuan me kujdes.

Por si arriti lëvizja studentore ta sfidonte një pushtet që për vite me radhë dominoi politikën serbe?

Tragjedia e Novi Sadit-Pika e kthesës...

Rezultati i së dielës është kulmi i gati dy viteve protesta pas shembjes vdekjeprurëse të tendës së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit në vitin 2024.

Lëvizja e tyre lindi nga tragjedia që filloi me bllokimin e rrugëve nga studentët dhe u shndërrua në protesta pothuajse të përditshme dhe në një lëvizje kombëtare kundër korrupsionit dhe neglizhencës së qeverisë.

Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Tragjedia u shndërrua në simbol të korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Stacioni ishte rinovuar në kuadër të një projekti infrastrukturor të realizuar nga kompani kineze, me të cilin Vuçiç ishte identifikuar politikisht.

Katastrofa shkaktoi dy vjet protesta të mëdha popullore, të cilat u udhëhoqën nga studentët. Lëvizja nuk kishte një drejtues të vetëm. Studentët organizoheshin përmes asambleve, të njohura si plenume, ku vendimet merreshin kolektivisht.

Si e ndryshuan studentët Serbinë

Ata nuk kanë udhëheqës të dukshëm dhe nuk kanë bazë në politikë, megjithatë lëvizja "Lista e Studentëve - Studentët Fitojnë" tërhoqi votues antiqeveritarë në të gjithë shoqërinë serbe.

Ata paraqitën kandidatë për të 250 vendet parlamentare, megjithatë asnjë student nuk ishte midis tyre.

Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi drejt fitores “Listën e Studentëve” në Serbi, duke i dhënë fund dominimit politik 14 vjeçar të Aleksandër Vuçiç. 

Lista e Studentëve, e cila doli nga demonstratat, përfshiu kandidatë të nxjerrë nga profesione si mjekësia dhe arsimi, shumë prej të cilëve nuk kanë përvojë politike. Deputetët e zgjedhur do të kenë detyrën e përmbushjes së asaj që në fakt është një manifest. Sipas fjalëve të vetë studentëve, ata po kërkonin njerëz që mund të hynin në institucione "të bënin punën e tyre me përgjegjësi dhe të mos harronin pse janë atje"./ZËRI

Poll

MOS HUMB