KOSOVË- Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Zyra e Presidentes konfirmoi lajmin për Radio Evropa e Lirë, duke deklaruar se Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës. Në kërkesë kërkohet të përcaktohet se kush dhe në çfarë mënyre mund t’i ushtrojë kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, në rast se presidenti i ri nuk është zgjedhur.
“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.
Kush do t’i shpallte zgjedhjet?
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mars të këtij viti, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Por, një tjetër paqartësi është: kush do t’i shpallte zgjedhjet?
Pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet më shumë se 6 muaj, ndërsa Kushtetuta ia njeh presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve. Pikërisht, kjo mbetet e paqartë dhe për këtë Haxhiu i është drejtuar Kushtetueses.
“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, tha Zyra e Presidentes.
Sot, 6 tetor, skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk arrin të votojë kreun e ri të shtetit brenda ditës, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja./ZËRI