
GREQI-Policia greke ka zhvilluar një tjetër operacion anti-drogë, i treti me radhë pas atyre të muajve të kaluar që zbuluan rrjete kriminale falë komunikimeve të përgjuara në platformën e enkriptuar “Sky ECC”. 4 persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, si pjesë e dy grupeve kriminale, në përbërje të së cilës ishte edhe një oficer i lartë i policisë greke, raportojnë mediat greke.
Gjatë operacionit që u krye, si dhe nga kontrollet e kryera në shtëpi dhe automjete, u gjetën dhe u sekuestruan 41.365 euro, 6 telefona celularë, një automjet që përdorej si mjet për kryerjen e trafikut të drogës, si dhe një kartë e Policisë me të dhënat e oficerit të policisë, e cila ishte deklaruar e humbur prej tij.
Sërish në skenë kanë dalë përdorues shqiptarë të platformës, pas identifikimit të tyre përmes korrelimit të mesazheve, audios dhe fotove nga “Sky ECC” dhe provave të tjera hetimore. Në qendër të operacionit ka rezultuar një oficer i policisë greke, tashmë në pension, i cili ka bashkëpunuar me shqiptarin Marius (Mario) Diamanti, një emër i njohur i krimit të organizuar në Greqi, i vrarë në nëntor 2021 në Nikaia.
Oficeri grek bashkëpunonte me shqiptarin Mario Diamanti
Oficeri 56-vjeçar grek, rezulton të ketë dalë në pension me gradën Nënkolonel A në dhjetor 2024 dhe deri atëherë shërbeu në Shërbimet e Sigurisë së Athinës Perëndimore dhe më pas në Drejtorinë e Policisë Athinë. Polici doli në pah nga pjesëmarrja e tij aktive në rrjetin kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës të udhëhequr nga shqiptari Marius Diamanti alias Mario Diamanti nga Delvina, i cili u vra në nëntor 2021 jashtë një karburanti që ai zotëronte, në Nikaia të Athinës.
Oficeri i policisë kishte ndërmjetësuar për blerjen dhe shitjen e paligjshme të kallashnikovëve nga një person i panjohur për Mario Diamantin. Në të njëjtën kohë, u zbulua pjesëmarrja aktive e oficerit të policisë në rrjetin kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ai gjithashtu ndihmonte emigrantë me precedent penalë që të shmangnin arrestimin, duke shfrytëzuar rolin e tij zyrtar dhe aksesin në informacione të brendshme.
Marius Diamanti alias Mario Diamanti nga Delvina u ekzekutua më 16 nëntor të vitit 2021 në lagjen “Nikea” të Athinës. Diamanti ishte i njohur për arrestime për kokainë dhe trafik droge. Po ashtu më 14 Shkurt të vitit 2010, Mario Diamanti u akuzua për vrasjen e një 30-vjeçari shqiptar në atë kohë. Mirëpo, ky i fundit u shpall i pafajshëm nga gjykata, pasi pretendoi se pistoleta ishte përdorur nga një person tjetër dhe ai nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit shqiptar në vitin 2010. Diamanti akuzohej edhe për lidhje me falsifikatorë identitetesh për kriminelë shqiptarë./ZËRI