
IRAN-Në Teheran kanë nisur funeralet publike për 60 oficerë të lartë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë që u vranë gjatë luftës 12-ditore të shpallur nga Izraeli. Turma të mëdha njerëzish u mblodhën në Teheran duke valëvitur flamuj dhe banderola për të nderuar 60 persona, përfshirë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë, të vrarë në konfliktin 12-ditor të Iranit me Izraelin në fillim të këtij muaji.
Ceremonitë po mbahen në qendër të kryeqytetit iranian, në Sheshin e Revolucionit, në ditën e katërt të një armëpushimi të brishtë me Izraelin. Portrete të disa figurave ushtarake të vrarë u shfaqën në një skenë në shesh, duke përfshirë imazhe të Gjeneral Major Hossein Salami dhe Gjeneral Mohammad Bagheri.
Disa anëtarë të turmës mbanin gjithashtu fotografi të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ndërsa demonstruesit brohorisnin slogane anti-Amerikane dhe anti-Izrael, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim e Iranit.
Izraeli pretendoi se vrasja e figurave të regjimit si Salami dhe Bagheri, si dhe e disa shkencëtarëve bërthamorë, ishte ndër sukseset kryesore të sulmeve të tij të pashembullta ndaj Iranit.
Si Izraeli ashtu edhe Irani pretenduan fitoren në luftën që përfundoi me një armëpushim, me udhëheqësin iranian Khamenei që minimizoi sulmet amerikane duke i konsideruar si "asgjë të rëndësishme". Shtetet e Bashkuara kryen sulme në tre centrale bërthamore iraniane fundjavën e kaluar, duke iu bashkuar bombardimeve të Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit në konfliktin 12-ditor të nisur më 13 qershor.
Sulmet izraelite ndaj Iranit vranë të paktën 627 civilë, tha ministria e shëndetësisë e Teheranit. Sulmet e Iranit ndaj Izraelit vranë 28 persona, sipas shifrave izraelite./ZËRI