GREQI- Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në konferencën për shtyp ka rikonfirmuar mbështetjen e Athinës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por ka theksuar se ecuria e secilit shtet do të vlerësohet veçmas dhe në bazë të përmbushjes së kritereve të kërkuara.Mitsotakis u ndal gjatë konferencës tradicionale për shtyp në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut te marrëdhëniet me Shqipërinë, duke deklaruar se Athina vlerëson se ende nuk është bërë progres i mjaftueshëm në çështjet që lidhen me regjistrimin e pronave dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek.
Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha vendet trajtohen njësoj. Çdo rast është i veçantë dhe progresi i çdo vendi drejt Evropës vlerësohet individualisht. Natyrisht, varet edhe nga gjykimi i të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian se kur do të hapet dhe kur do të mbyllet secili kapitull i negociatave me Bashkimin Evropian. Me të drejtë theksuat se kemi ende çështje që lidhen me pakicën kombëtare greke në Shqipëri, të cilat ia kemi bërë të ditura Shqipërisë. Nuk është i mjaftueshëm progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave. Dhe të jeni absolutisht të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona, në mënyrë që të jemi plotësisht të sigurt se të drejtat e pakicës mbrohen. Dhe e dini, kjo nuk është një çështje dypalëshe. Është një çështje që lidhet me të drejtën evropiane, me mbrojtjen e të drejtave. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, ku, sigurisht, nuk ka asnjë progres thelbësor sa i përket negociatave evropiane. Prandaj, atje jemi në një fazë shumë më të hershme krahasuar me atë që po ndodh me Shqipërinë, tha Mitsotakis.
Kryeministri grek theksoi se çështja e mbrojtjes së të drejtave të minoritetit nuk duhet parë vetëm si një temë mes dy vendeve, por si pjesë e standardeve që lidhen me legjislacionin dhe vlerat e Bashkimit Evropian./ZËRI