Bota

Mitsotakis shpall paketën e re ekonomike: Ulje taksash, 400 euro për pensionistët dhe pagë minimale 1,000 €, rritet bonusi i lindjes

Mitsotakis e cilësoi planin si udhërrëfyesin për vitin 2027, që synon rritjen e të ardhurave dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.

F.I
Mitsotakis shpall paketën e re ekonomike: Ulje taksash, 400 euro për
Kyriakos Mitsotakis

GREQI-Greqia ka gati një plan të ri masash ekonomike, ku përfshihen fermerët, familjet, pensionistët dhe punonjësit.  Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar paketën e gjerë masash ekonomike dhe sociale gjatë fjalimit të tij në Qendrën e Konferencave “Vellidio”, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut (DEO). Mitsotakis e cilësoi planin si udhërrëfyesin për vitin 2027, që synon rritjen e të ardhurave dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.

Fermerët dhe blegtorët

Për fermerët, kryeministri njoftoi rritjen e pragut të patatueshëm në 20 mijë euro, masë që sipas tij prek rreth 50 mijë prodhues. Për blegtorët, qeveria do të kërkojë fonde shtesë europiane, ndërsa Mitsotakis deklaroi se tufat e humbura do të rikthehen së shpejti.

Pensionet dhe administrata publike

Për pensionistët, ndihma vjetore e nëntorit do të rritet nga 300 në 400 euro për personat mbi 65 vjeç.

Ndërsa për administratën publike, u njoftua një bonus prej 500 eurosh për 720 mijë punonjës, duke nisur nga viti 2027. Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një masë të përhershme që do të llogaritet edhe në pension.

Masat për familjet

Prindërit do të mund të hapin një llogari kursimi për fëmijët gjatë dy viteve të para pas lindjes. Shteti do të kontribuojë me të njëjtën shumë që depozitojnë prindërit, deri në 1,200 euro në vit. Gjithashtu, Mitsotakis njoftoi zero taksë mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro për familjet me tre fëmijë.

Pagat dhe energjia

Për punonjësit e sektorit privat parashikohet ulje e mëtejshme e kontributeve të sigurimeve. Kryeministri tha se paga minimale do të kalojë 950 euro në vitin 2027, me objektiv arritjen e 1,000 eurove në janar 2028.

Ndërkohë, qeveria synon një ulje prej 30% të çmimit të energjisë elektrike gjatë tre viteve të ardhshme. Për personat me aftësi të kufizuara u njoftua indeksimi i përfitimeve sociale.

Poll

MOS HUMB