
PARIS- Prej disa ditësh vazhdon gjyqi ndaj Dominique Pelicot, i akuzuari kryesor që drogonte bashkëshorten e tij dhe rekrutonte burra të tjerë për ta përdhunuar. Së bashku me të dolën në gjyq dhe 49 të akuzuarit e tjerë, 17 prej tyre rrezikojnë dënim me burg, që nëse shpallen fajtorë mund të dënohen nga 10 deri në 18 vite burg. Pelicot, iu lut familjarëve të tij ta falnin atë dhe gjithashtu u shpreh se e vlerësonte guximin që ish-bashkëshortja e tij Gisela ka treguar duke zbuluar atë që kishte ndodhur.
“Do të doja të filloja fjalën time duke përshëndetur guximin e ish-bashkëshortes time. I kërkoj asaj dhe familjes time falje dhe të pranojnë faljen time. Jam penduar për atë që kam bërë, dhe që i kam shkaktuar vuajtje familjes time. Veprimet e mia më kanë shkaktuar edhe mua vuajtje. kam vuajtur familjen time,”- tha Pelicot.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet të enjten. I ulur me 17 të bashkëpandehurit e tij pas xhamit, ai përsëriti se kishte thënë "të vërtetën e plotë" që nga fillimi i gjyqit. Ai iu drejtua edhe avokates së tij, Beatrice Zavaro, e cila nuk e lejoi atë ta “mohonte akuzën”. Ai tha se nuk e mohoi akuzën pasi kjo do të tregonte se ai ishte një frikacak dhe gjithashtu do të bënte të akuzuarit e tjerë të dilnin të pafajshëm.
“Njerëzit më kanë dhënë shumë karakterizime. Më quajtë dragoi i Mazanit, një ujk, por gjithashtu thanë dhe se Gisielle bashkëpunoi me mua dhe shtirej sikur ishte në gjumë. Kjo nuk është e vërtetë. Privimi për të mos parë familjen time është më keq se privimi i lirisë. Unë dua të t’i them atyre para gjykatës se i dua dhe se ju keni të gjithë jetën time në dorë,”- u shpreh ai para gjykatës.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e dënimit maksimal
Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal prej 20 vitesh burg për Dominique Pelicot, pasi ai konsiderohet si autori i këtij krimi. Për 49 të pandehur, Prokuroria ka kërkuar dënime nga 10 deri në 18 vite burg, ndërsa vetëm një që nuk ka përdhunuar Gisellen, por ishte në dijeni të kësaj skeme ka propozuar dënimin me katër vite burg. Pesë gjyqtarët do të japin vendimin e tyre ditën e enjte, por gjyqi mund të zgjasë dhe deri të premten në bazë të provave që po shqyrton gjykata.
Pelicot tha se ai filloi që të kishte këto mendime në vitin 2010, kur po bisedonte me një infermier në internet, i cili i sugjeroi të drogonte gruan e tij me një lloj droge. Ai gjithashtu e mësoi dhe si ta kontrollonte situatën dhe madje ndau me të disa foto të grave të droguara.
“Gjithçka filloi atëherë! Sapo pashë ato fotografi, diçka u ndez në trurin tim,”- tha ai.
Pelicot tha se i kishte filmuar burrat pjesërisht për "kënaqësi", por edhe për "sigurim". Gjithashtu ai tha se të akuzuarit po gënjejnë kur shprehen se ajo kishte dhënë konsensus, pasi ata ishin të vetëdijshëm se ajo ishte e droguar. Pelicot bisedonte me të pandehurit në një faqe internet, ku kishte krijuar dhe një grup me titullin "Pa dijeninë e saj", kjo faqe tashmë është e mbyllur dhe aty ndodheshin mijëra materiale pornografike.
“Nuk kam detyruar askënd, kanë ardhur me dëshirë. Më pyetën nëse mund të vinin dhe unë u thashë po, nuk kam tërhequr zvarrë askënd”, dëshmoi ai.
Rasti i Gisele Pelicot që u zbulua në shtator të këtij viti tronditi Francën. Ajo u përdhunua nga njerëz të ndryshëm për 10 vite rresht pasi drogohej sistematikisht nga burri i saj. Madje bashkëshorti i saj pranoi se ai e drogonte atë vazhdimisht në mënyrë që ajo të mos e kuptonte se çfarë po i ndodhte. Pasi rasti i saj u publikua protesta të shumta u organizuan në Francë në mbështetje të saj. Në ditët e para Gisele u shfaq në gjyqe me syze, gjë që simbolizonin një pikë të errët që mori jeta e saj. Nga një gjyshe e qetë dhe e dashur, ajo u kthye në një viktimë përdhunimi, por edhe si një ikonë globale e guximit dhe sfidës.
“Ajo mbante gjithmonë syze për të fshehur vuajtjen dhe turpin që ajo ndjente. Por erdhi një moment kur ajo ndjeu se nuk kishte më nevojë për të mbrojtur veten. Ajo nuk kishte më nevojë për syzet. Ajo gjeti forcën që i duhej në jetë dhe gjithashtu për të kërkuar drejtësi për atë që i ndodhi,”- tha avokati i saj Stéphane Babonneau.
Pika historike
Gjatë gjyqit, 72-vjeçarja Gisèle Pelicot nuk tha pothuajse asgjë për sprovën e saj, përveç komenteve të herëpashershme dhe të shkurtra për mbështetësit e saj të mbledhur në Palais de Justice në Avignon. Babonneau tha për BBC se ajo kërkoi brenda vetes forcën për të shkuar në gjykatë dhe si të rindërtonte sërish jetën e saj dhe të gjente pak qetësi shpirtërore.
Avokati i saj tha se kur pa pamjet që kishte filmuar ish-bashkëshorti i saj, ishte diçka tronditëse dhe e neveritshme.
"Ju mund të dëgjoni Pelicot duke gërhitur dhe duke marrë frymë. Është shqetësuese ta dëgjosh atë të vuaj ndërsa burra të ndryshëm abuzojnë me të. Tingulli ishte një provë shumë e rëndësishme,"- tha Babonneau, duke shtuar se pa videon ndoshta nuk do të kishte pasur një gjyq.
Pelicot gjithashtu e kuptoi këtë dhe ishte në gjendje të shmangte shikimin e ndonjë filmimi për arsye të shëndetit të saj mendor. Në vend të kësaj, kujton Babonneau, një ditë ajo thjesht njoftoi: "Tani jam gati". Avokatët i shpjeguan asaj se cilët ishin burrat në video dhe e paralajmëruan atë për pamjet e rënda që ajo do të shohë.
“Gisele ishte e qetë dhe po shihte me vëmendje por mund ta dëgjonim që pëshpëriste: Si mundi ai?”- kujton avokati i saj.
E droguar për 10 vjet ajo sërish nuk dyshonte se diçka e tillë dhe e tmerrshme po i ndodhte. Ajo dyshoi se kishte probleme të ndryshme shëndetësore, pasi ajo filloi të pësonte rënie të flokëve, humbje të kujtesës dhe boshllëqe të shumta, po ashtu si edhe probleme të ndryshme gjinekologjike, por bashkëshorti gjithmonë i thoshte se nuk ka asgjë serioze dhe pavarësisht gjendjes së saj të rëndë ai vazhdonte të rekrutonte burra dhe ta përdhunonte sistematikisht. Problemet e saj gjithashtu nuk u morën kurrë si të rëndësishme as nga mjeku i saj që ajo shkoi për 7 vite rresht duke u ankuar për dhimbje të shumta në trup dhe probleme gjinekologjike. /ZËRI