
TIRANË- Në vitin 2022, Irani ishte pranë vrasjes së Mike Pompeo-s, ish-sekretarit të Shtetit që shërbeu gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump. Shtatorin e kaluar, vetë Donald Trump, i cili atëherë kandidonte për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë, mësoi nga Shërbimi Sekret se një ekip vrasësish me pagesë nga Teherani kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara dhe mund të tentonin edhe vrasjen e tij.
Kërcënime të këtij lloji rritën masat e sigurisë rreth kandidatit të atëhershëm republikan dhe mund të kenë luajtur një rol në vendimin e fundit të presidentit për të bombarduar objektet bërthamore të regjimit të ajatollahëve. "Washington Post" zbuloi detaje nga ngjarja, që deri më tani nuk dihej publikisht, por që do të jetë pjesë e një libri së shpejti në SHBA, “2024, Si Trump e rimori Shtëpinë e Bardhë dhe Demokratët e humbën Amerikën”.
Libri tregon se tre vjet më parë një ekip vrasësish iranianë zbuluan hotelin ku po qëndronte Pompeo gjatë një vizite private në Paris dhe hartuan një plan për ta eliminuar atë. Sipas të njëjti burim, ish-sekretari i shtetit u shpëtua “me një fije floku”. Më vonë, sipas librit, ishte John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Trump, ai që u vendos në shënjestër të vrasësve të Teheranit. Megjithatë, pasi u rizgjodh, Trump hoqi rojet e sigurisë si për Pompeon ashtu edhe për Boltonin, të cilët e kishin kritikuar ashpër.
Zbulimet më tronditëse në libër kanë të bëjnë me masat e sigurisë të marra nga Shërbimi Sekret për të mbrojtur Trumpin gjatë muajve të fundit të fushatës presidenciale të vitit të kaluar. Në një moment, nga frika se agjentët iranianë do të përpiqeshin ta vrisnin me raketa ose dronë ndërsa ai hipte në aeroplan, agjentët e bindën atë të përdorte një avion më pak të dukshëm, të siguruar nga Steve Witkoff, zhvilluesi i pasurive të patundshme të cilin Trump më vonë e emëroi si negociatorin e tij personal për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme. Aeroplani zyrtar vazhdonte dhe fluturonte, por pa kandidatin e Shtëpisë së Bardhë në bord.
Shërbimi Sekret nuk ka përcaktuar nëse dy sulmet ndaj Trump në korrik dhe shtator 2024 ishin në ndonjë mënyrë të lidhura me Iranin, që kërkonte hakmarrje për vrasjen e Qassem Soleimani në vitin 2020, komandant i Gardës Revolucionare. Por tani kërcënimi nga vrasësit e Teheranit mund të rritet më tej, komenton Post, nga vendimi i Trump për t'u bashkuar me luftën e Izraelit dhe për të bombarduar objektet bërthamore iraniane.
Megjithatë, vetë Trump duket se gjithashtu ka bërë disa lëvizje. Sot, me një ton sfidues dhe provokues, Trump doli edhe për udhëheqësin, Ali Hosseini Khamenei. Për herë të disatë, Trump e kërcënoi me jetë.
“Vendi i tij u shkatërrua, tre nga objektet e tij kryesore bërthamore u eliminuan. Unë e dija saktësisht ku ishte fshehur dhe nuk lejova Izraelin apo ushtrinë amerikane — më të fuqishmet në botë — t’i jepnin fund jetës së tij. E shpëtova nga një vdekje e shëmtuar dhe e turpshme,”-tha Trump, duke përsëritur edhe njëherë se ka dijeni lidhur me vendin ku fshihet udhëheqësi iranian.
Të dyja palët kërcënojnë me vdekje dhe tregojnë muskujt, por duket se askush nuk ka guxim të veprojë./ZËRI