TIRANË- Situata në Gjykatën e Tiranës vijon të jetë e pezulluar edhe këtë të mërkurë, pasi punonjësit e administratës gjyqësore kanë vendosur të bojkojnë sërish sot, për shkak të pagave të papaguara.
Që prej orës 08:00, sekretarët gjyqësorë, ftuesit dhe punonjësit e shërbimeve të tjera kanë ndërprerë punën. Si pasojë, nuk po kryhen shërbimet administrative që lidhen me regjistrimin dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore. Punonjësit kërkojnë zgjidhjen e menjëhershme të situatës dhe marrjen e pagës për muajin gusht.
Kjo është dita e dytë e bojkotit, pasi edhe të martën administrata e Gjykatës së Tiranës dhe e Gjykatës së Apelit protestoi duke ndërprerë punën për disa orë.
Pak ditë më parë, ministri i drejtësisë Toni Gogu deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, ormulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI