TIRANË- Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion për gjendjen shëndetësore të tre personave të dëmtuar nga shpërthimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në një karburant në zonën e Brrylit në Tiranë.
Ministria bën me dije se gjendja e tre të dëmtuarve paraqitet e stabilizuar. Sipas Ministrisë, tre të dëmtuarit, Vlerim Hakballa 22-vjeç, Rozart Abazi 30-vjeç dhe Aurel Xhanaj, janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës, ku ndodhen nën kujdesin e ekipit mjekësor.
“Tre personat e dëmtuar si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”, shkruan Ministria e Shëndetësisë./ZËRI