
SEUL- Arrestimi i presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol shënon kulmin e një krize politike që ka tronditur vendin në 6 javët e fundit. Presidenti, i shkarkuar menjëherë pasi u përpoq që të vendoste ligjin ushtarak në dhjetor, do të përballet me akuzat për kryengritje.
ZËRI iu sjell një kronologji të gjithë çfarë ka ndodhur në Kore përgjatë muajve të fundit:
3 dhjetor: shpallja e gjendjes ushtarake
Në orën 22:23 të mbrëmjes, Yoon njoftoi në televizion se do të vendoste ligjin ushtarak, duke akuzuar edhe opozitën (e cila ka shumicën e Kuvendit) se po "punonte" për Korenë e Veriut. Duke marrë kritikat e opozitës për buxhetin si "aksion" kundër postit të tij, ai e justifikoi masën duke pretenduar se vendi kishte nevojë që të mbrohej nga “forcat komuniste të Koresë së Veriut”. Aktivitetet politike u ndaluan, ndërsa helikopterët ushtarakë u ulën në afërsi të Parlamentit. Por vetëm dy orë më vonë, rreth 190 deputetë të opozitës arritën që të futeshin në Kuvend pavarësisht kundërshtimit të ushtarëve dhe miratuan mocionin për shfuqizimin e ligjit. Disa orë më vonë, Yoon u shfaq përsëri në televizion për të njoftuar se kishte tërhequr pas dekretin.
4 dhjetor: nisja e protestave dhe shpallja e mocionit për shkarkim
Opozita njoftoi paraqitjen e një mocioni për të hequr Yoon nga posti i presidentit. Në të njëjtën kohë, mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Seulit. Po atë ditë, Policia nisi një hetim për "kryengritje", një krim që mund të dënohej me vdekje sipas ligjit të Koresë së Jugut. Përpjekja e parë e opozitës për të hequr Yoon dështoi për shkak të një bojkoti nga deputetët e Partisë së Pushtetit Popullor (PPP) në pushtet. Atë ditë, Yoon i kërkoi falje kombit në një fjalim televiziv. Të nesërmen, autoritetet arrestuan ish-ministrin e Mbrojtjes Kim Yong-hyun, të cilin e cilësuan si promotorin kryesor të ligjit ushtarak.
14 dhjetor: shkarkimi nga parlamenti
Partia Demokratike paraqiti një mocion të dytë shkarkimi, i cili u miratua nga Parlamenti, duke çuar në pezullimin e Yoon si president. Çështja iu referua Gjykatës Kushtetuese, e cila ka gjashtë muaj kohë për të ratifikuar ose anuluar shkarkimin e kreut të shtetit.
27 dhjetor: shkarkimi i kryeministrit
Kryeministri në detyrë, Han Duk-soo, u shkarkua nga Parlamenti, i akuzuar për bashkëpunim në kryengritje. Vendin e tij e zuri ministri i Financave Choi Sang-mok.
31 dhjetor: urdhër arresti
Gjyqësori lëshoi një urdhër arresti për Yoon pas refuzimit të tij për të marrë pjesë në tre thirrje për t'u marrë në pyetje. Ai u bë presidenti i parë i Koresë së Jugut ndaj të cilit u lëshua një urdhër arresti.
3 janar: përpjekja e parë për arrestim
Një ekip policie dhe hetuesish u përpoqën të ekzekutonin urdhrin e arrestit kundër Yoon në rezidencën e tij në Seul. Megjithatë, Shërbimi i Sigurisë Presidenciale bllokoi hyrjen dhe mes palëve nisën përleshjet. Për shkak të rezistencës dhe shqetësimeve për sigurinë e stafit, hetuesit pezulluan operacionin.
14 janar: fillon gjykimi i shkarkimit
Gjykata Kushtetuese filloi seancat gjyqësore për të vendosur lidhur me shkarkimin e Yoon. Seanca e parë zgjati disa minuta për shkak të mungesës së presidentit, i cili përmendi arsye sigurie për mosparaqitjen e tij në sallë.
15 janar: Arrestimi i Yoon Suk-yeol
Në orët e para të mëngjesit, qindra oficerë policie dhe hetues nga Zyra e Hetimit të Korrupsionit (CIO) sulmuan rezidencën e Yoon, duke u përballur me rezistencën e rojeve të tij të sigurisë, avokatët dhe mbështetësit. Më në fund, pas disa orësh tensioni, Yoon u arrestua. Në një mesazh të regjistruar para arrestimit të tij, Yoon foli me mbështetësit e tij duke iu shprehur se po dorëzohej vetë për të shmangur "gjakderdhjen".
Arrestimi i Yoon Suk-yeol ka gjeneruar një debat të gjerë në vend, duke e ndarë shoqërinë mes atyre që e konsiderojnë arrestimin e tij një hap drejt rivendosjes së rendit kushtetues dhe atyre që denoncojnë parregullsitë në procesin gjyqësor ndaj kreut të shtetit./ZËRI