
UASHINGTON- Ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Michelle Obama, nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump javën e ardhshme. Lajmi u konfirmua nga zyra e saj për shtyp, por nuk ka dhënë detaje se përse është marrë ky vendim.
“Ish-presidenti Barack Obama do të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të 60-të, ndërsa ish-Zonja e Parë, Michelle Obama, nuk do të marrë pjesë”, thuhej në deklaratë.
Ky vendim duket se është një thyerje e traditës për ceremoninë, ku ish-presidentët marrin pjesë zakonisht me gratë e tyre. Ish-presidentët George W. Bush dhe Laura Bush do të marrë pjesë në inaugurim, tha zyra e tij ndërsa burime për CNN thonë se edhe Bill Clinton me gruan, Hillary-n, do të jenë atje.
Michelle nuk ishte e pranishme as në meshën e javës së kaluar për Presidentin e ndjerë, Jimmy Carter. Ndryshe nga ajo, ish-Presidenti Barack Obama ishte i pranishëm dhe qëndroi ngjitur me Trump. Madje ata u panë duke biseduar. Michelle Obama ka folur hapur për antipatinë e saj ndaj Trump, të cilin e akuzon se ka vendosur familjen e saj në rrezik nga retorika që ai përdor.
Në 2017 ajo i la mënjanë inatet personale dhe mikpriti presidentin e zgjedhur asokohe, Donald Trump me bashkëshorten e tij, Melania-n, para betimit të Trump. /ZËRI