
IZRAELI-Izraeli dhe Irani janë drejt një armëpushimi. Izraeli raportohet se ka hequr dorë nga sulmi agresiv ndaj Iranit pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli në telefon me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Zyra e Netanyahut tha se Tel Avivi goditi një radar iranian në përgjigje të sulmit të sotëm me raketa iraniane ndaj Izraelit dhe se pas bisedës me Trump, ka hequr dorë nga sulme të mëtejshme.
"Gjatë bisedës, Presidenti Trump shprehu vlerësimin e tij të madh për Izraelin, i cili ka arritur të gjitha objektivat e luftës. Presidenti gjithashtu shprehu besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit", thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit.
Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se armëpushimi që është bërë i ditur nga presidenti amerikan, Donald Trump, do të respektohet nëse Izraeli vepron njëjtë.
“Nëse regjimi zionist nuk e shkel armëpushimin, as Irani nuk do ta shkelë atë”, tha Pezeshkian në një bisedë telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Anëar Ibrahim, sipas faqes zyrtare të presidencës.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sulmoi ashpër Izraelin dhe Iranin sot, teksa akuzoi të dyja palët për shkelje të armëpushimit. Gjatë natës, përpara se të konfirmohej armëpushimi, të dyja palët shkëmbyen zjarr./ZËRI