
EGJIPT- Arkeologët kanë bërë një zbulim të madh brenda Piramidës së Madhe të Egjiptit, duke i dhënë fund misterit se kush i ndërtoi 4,500 vjet më parë. Sipas një artikulli nga Daily Mail, arkeologët kanë gjetur mbishkrime të reja brenda Piramidës së Madhe të Keopsit, duke zbuluar se Piramidat nuk u ndërtuan nga 100,000 skllevër që punonin në turne për 20 vjet. Përkundrazi, u ndërtuan nga punëtorë të kualifikuar dhe të paguar.
Egjiptologu Dr. Zahi Hawass dhe ekipi i tij eksploruan dhomat e ngushta sipër Sallës së Mbretit në Piramidën e Madhe të Khufusë dhe zbuluan informacione të reja interesante rreth epokës së ndërtimit të saj. Ata zbuluan gjithashtu varre të punëtorëve në jug të Piramidës, me figurat e tyre të gdhendura në statuja dhe që mbanin 21 tituj të shkruara me hieroglife, duke përfshirë "mbikëqyrës i këndit të piramidës" dhe "zejtar". Punëtorët e paguar dhe të kualifikuar merrnin një ditë pushim çdo 10 ditë.
Dr. Hawass dhe ekipi i tij - nëpërmjet teknologjisë së imazherisë - gjetën gjurmë të lëna nga punëtorët e shekullit të 13-të para Krishtit.
"Zbulimet konfirmojnë se ndërtuesit nuk ishin skllevër. Nëse do të ishin, ata nuk do të ishin varrosur kurrë në hijen e piramidave. Skllevërit nuk do t'i kishin përgatitur varret e tyre për përjetësinë, siç bënin mbretërit dhe mbretëreshat, brenda këtyre varreve,"- tha Hawass për podkastin Limitless të Matt Beall.
Mbishkrime u gjetën më parë brenda Piramidës së Madhe gjatë shekullit të 19-të, duke shkaktuar debat se mos ishin të falsifikuara pasi piramidat u ndërtuan. Por Hawass hedh poshtë çdo aludim.
“Ato u gjetën në dhoma që janë të vështira dhe të rrezikshme për t’u aksesuar, dhe janë stile shkrimi që vetëm egjiptologët e trajnuar mund t’i interpretojnë me saktësi. Është pothuajse e pamundur që dikush kohët e fundit të ketë krijuar diçka të tillë. Duhet të futesh rreth 45 metra dhe të zvarritesh nëpër hapësira të ngushta për të arritur në ato dhomai,”- tha Dr. Hawass.
Krahas këtyre mbishkrimeve, brenda varreve u gjetën edhe vegla pune.
Si u ndërtua piramida?
Gjetjet tregojnë gjithashtu se si është ndërtuar piramida, duke zbuluar se guri gëlqeror është transportuar nga një gurore 300 metra larg nëpërmjet një rampe (mjeti lëvizës), mbetjet e së cilës u gjetën në jugperëndim të piramidës. Punëtorët punonin në grupe, disa i prisnin gurët, të tjerë u jepnin formë dhe pjesa tjetër e transportonte materialin duke përdorur rampa. Dr. Hawass po punon tani në një mision të ri, të financuar nga Matt Beall, i cili do të dërgojë një robot në piramidë, duke shënuar gërmimin e parë të këtij lloji.
Gërmimet janë planifikuar për rreth janarit ose shkurtit të vitit të ardhshëm./ZËRI