SHBA- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë pamje nga takimi dhe ka bërë të ditura disa nga temat e diskutuara me presidentin turk. Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar edhe aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Me Presidentin Erdoğan diskutuam edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti.
Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitetet e lidhura me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Pak ditë më parë, Kurti u shpreh nga SHBA-ja se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së. Ai u shpreh se do të bashkëpunojnë me aleatët ndërkombëtarë dhe do të angazhohet pandërperë mbrojtjen e luftës çlirimtare përballë propagandave të Serbisë.
Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI