Bota

Zgjedhjet në dy lande trondisin Berlin zyrtar, Merz: Rezultat katastrofë, por nuk dorëzohem

Merz kishte thirrur kryesinë e CDU-së në selinë qendrore të partisë për mbrëmjen e zgjedhjeve. Pas rënies së rëndë të CDU-së në zgjedhjet krahinore në Saksoni-Anhalt dy javë më parë, kritikat ndaj Merzit ishin bërë gjithnjë e më të forta edhe brenda vetë partisë.

Redaksia Zëri
Zgjedhjet në dy lande trondisin Berlin zyrtar, Merz: Rezultat
Friedrich Merz

GJERMANI- Zgjedhjet në dy lande gjermane, Meklenburg Pomerani, dhe Berlin kanë shkaktuar reagime të forta. Nënkryetarja e CDU-së, Karin Prien, është shprehur në favor të ndryshimeve në politikat e qeverisë pas zgjedhjeve në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Berlin. "Ne duhet të vazhdojmë në thelb rrugën që kemi nisur. Megjithatë, duket qartë se nuk i kemi dëgjuar sa duhet njerëzit. Mungon empatia”, tha Prien në një intervistë për radion gjermane. Sipas saj, drejtimi i përgjithshëm i politikës duhet të ruhet, por qeveria duhet të tregojë më shumë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve.

Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Matthias Miersch, pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në Berlin, e rënies në Meklenburg-Pomeraninëm megjithë shansin për qeverisje, sinjalizoi nevojën për një korrigjim të kursit në politikat reformuese të qeverisë federale.  "Për momentin, këto reforma identifikohen para së gjithash me shkurtime”, tha Miersch të hënën në emisionin "Morgenmagazin” të ARD-së. Sipas tij, ende nuk është bërë e qartë për qytetarët se "çfarë ndryshimesh pozitive” do të sjellin këto reforma. Me këtë deklaratë, Miersch la të kuptohet se qeveria duhet të komunikojë më mirë përfitimet e reformave dhe t'i lidhë ato më qartë me përmirësime konkrete për qytetarët, në vend që ato të perceptohen kryesisht si masa kursimi. 

Menjëherë pas zgjedhjeve në dy lande, kancelari Friedrich Merz doli para kamerave, ai pranoi se rezultati i CDU "ishte katastrofë", por theksoi se qeveria në Berlin do ta vazhdojë kursin e reformave. "Përgjigjja duhet të jetë ta bëjmë vendin tonë të gatshëm dhe të fortë për të ardhmen." Ai tha se "e marr përsipër këtë përgjegjësi, sepse dua ta çoj këtë vend përpara."

Është e pazakontë që një kancelar të prononcohet drejtpërdrejt që në mbrëmjen e zgjedhjeve. Merz kishte thirrur kryesinë e CDU-së në selinë qendrore të partisë për mbrëmjen e zgjedhjeve. Pas rënies së rëndë të CDU-së në zgjedhjet krahinore në Saksoni-Anhalt dy javë më parë, kritikat ndaj Merzit ishin bërë gjithnjë e më të forta edhe brenda vetë partisë. Megjithatë, katër ditë para zgjedhjeve, tetë kryeministrat e fuqishëm të landeve nga CDU-ja i kishin dalë në mbrojtje kancelarit me një deklaratë të përbashkët, duke i dhënë mbështetje të hapur politikës dhe udhëheqjes së tij. Merz u shpreh u vendosur para kamerave. "Ajo që duhet bërë tani kërkon kurajë, qëndrueshmëri dhe durim. Unë do t'i tregoj këto cilësi si kryetar i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si kancelar federal i vendit tonë.” 

AfD fiton në Meklenburg Pomerani, SPD mund të qeverisë

AfD-ja ka fituar zgjedhjet për parlamentin krahinor në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, por SPD-ja e renditur e dyta mund të vazhdojë të qeverisë në këtë land federal, sepse asnjë parti nuk do të krijojë koalicion me AfD. Sipas rezultateve paraprake, AfD-ja ka marrë 38,2 për qind të votave. Partia e udhëhequr nga kandidati për kryeministër i landit, Leif-Erik Holm, dhe kandidati kryesor Enrico Schult, ka arritur më shumë se ta dyfishojë rezultatin e saj nga viti 2021, kur kishte marrë 16,7 për qind të votave.

SPD-ja e kryeministres së landit, Manuela Schwesig, ka arritur një rezultat çuditërisht të fortë me 35,5 për qind të votave. Megjithëse partia ka pësuar humbje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kishte marrë 39,6 për qind, lehtësimi brenda SPD-së është i madh. Në muajt e fundit, partia ka arritur të ngushtojë ndjeshëm diferencën e konsiderueshme që sondazhet i jepnin AfD-së, duke rikuperuar një pjesë të mirë të disavantazhit ndaj saj.

CDU jo më në parlamentin e landi Meklenburg Pomerani

Rezultati për CDU-në është dramatik: me vetëm 4,9 për qind të votave, ajo nuk arrin të kalojë pragun prej pesë për qind dhe, për herë të parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë, mbetet jashtë një parlamenti landi. Kandidati kryesor, Daniel Peters, regjistroi rezultatin më të dobët të një partie kristiandemokrate në zgjedhjet krahinore gjermane që nga viti 1949. Gjatë fushatës zgjedhore, CDU-ja u përball jo vetëm me tendencën negative në nivel federal, por vuajti edhe nga polarizimi i fortë i garës, e cila u përqendrua kryesisht në duelin mes kryeministres Manuela Schwesig dhe AfD-së. 

Të Gjelbrit, të udhëhequr nga kandidatja kryesore Claudia Müller, kanë arritur sërish të hyjnë në parlamentin krahinor, duke marrë 5,7 për qind të votave. Gjatë fushatës zgjedhore, ata mbështetën edhe te votat taktike të elektoratit të majtë dhe promovuan krijimin e një qeverie krahinore kuq-kuq-jeshile (SPD, E Majta dhe Të Gjelbrit).

E Majta brohoret në Berlin

Në Berlin, partia E Majta (Die Linke) feston fitoren: e udhëhequr nga kandidatja kryesore Eralp, ajo ka arritur më shumë se të dyfishojë rezultatin e saj dhe, për herë të parë, del fituese e zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit (Abgeordnetenhaus). Kandidatja Elif Eralp fitoi 25,7 të votave, sipas rezulateve paraprake. 45-vjeçarja me prejardhje turke e kishte përqendruar tërësisht fushatën e saj zgjedhore te tema e strehimit. Eralp e mban shpesh pranë vetes çështjen e saj më të rëndësishme elektorale edhe simbolikisht: në qafë mban një varëse të artë me mbishkrimin "Mietendeckel" (çmime tavan për qiratë), që është kthyer në simbol të angazhimit të saj për kufizimin e rritjes së qirave.

Partitë në pushtet, CDU dhe SPD, kanë pësuar humbje të ndjeshme. Koalicioni aktual mes CDU-së dhe SPD-së në Bashkinë e Kuqe (Rotes Rathaus) nuk mund të qeverisë më. CDU-ja, me kandidatin e saj kryesor Stefan Evers, pësoi humbje të konsiderueshme. Me vetëm 18,8 për qind të votave, ajo u rendit në vendin e dytë, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2023 kishte arritur 28,2 për qind./DW

Poll

MOS HUMB