DAVOS- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Davos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Osmani u pa duke shkëmbyer edhe një bisedë të shkurtë me presidentin Trump, ku më pas nënshkroi marrëveshjen e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit e tjerë. Gjatë prezantimit të Bordit të Paqes nga ana e Trump, ra në sy mungesa e liderve të BE, ndërsa 19 kryetarët e shteteve të pranishëm, iu përkisnin kryesisht vendeve të lindjes.
Gjatë fjalës së tij, përpara nënshkrimit të marrëveshjeve, Trump iu është përgjigjur kritikëve të Bordit të Paqes, teksa tha se ai ka potencialin të jetë “një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë”, duke shtuar se është i nderuar që është kryetar.
“Po ecën shumë mirë… pothuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë e saj“, u shpreh presidenti amerikan.
Trump tha se sapo të formohet Bordi i Paqes, “ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam”, po duke bashkëpunuar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Pavarësisht kritikave të tij të përsëritura ndaj organit ndërkombëtar, ai thotë se OKB ka “potencial të jashtëzakonshëm”.
Trump tha se kombinimi i përpjekjeve të Bordit të Paqes dhe OKB-së është “diçka shumë unike për botën” dhe “hapi i parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme”. /ZËRI