Bota

Histeri për një manga, parashikoi tmerr në Japoni

Ryo Tatsuki, artistja pas manga-s "The Future I Saw", është përpjekur të shuajë histerinë, duke theksuar se ajo "nuk është një profete".

k.m.
Histeri për një manga, parashikoi tmerr në Japoni
Manga

TOKIO- Një profeci nga një libër komik po shkakton tmerr në Japoni. Aq sa turistët kanë anuluar udhëtimet në Japoni për shkak të frikës nga 5 korriku. E gjitha sepse manga "The Future I Saw/E ardhmja që pashë" parashikon një fatkeqësi natyrore këtë të shtunë. Manga flet për një katastrofë të madhe që godet vendin këtë muaj. 

"E ardhmja që pashë" e Ryo Tatsuki-t tërhoqi vëmendjen pas tërmetit dhe cunamit të Tohoku-s në vitin 2011, kur u zbulua se kopertina e librit me sa duket kishte parashikuar një katastrofë që do të ndodhte në mars të vitit 2011. Në vitin 2020, manga tërhoqi edhe më shumë vëmendje pavarësisht faktit se botuesi origjinal (Asahi Sonorama) ishte mbyllur dhe vetë libri nuk shtypej më, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të kopjeve. Ribotimi i vitit 2021, duke përfituar nga ky popullaritet i ringjallur, paralajmëroi për një "katastrofë të vërtetë" në korrik të vitit 2025, duke shkaktuar histeri masive.

Dhe ndikimi nuk ishte vetëm vendas. Udhëtimet verore drejt Japonisë nga Azia Lindore ranë ndjeshëm dhe disa linja ajrore anuluan fluturimet drejt Japonisë, me sa duket për shkak të shqetësimeve të udhëtarëve se parashikimet e mangës do të realizoheshin. Disa mendojnë se fatkeqësia e madhe do të jetë një shpërthim vullkanik, një cunami ose një asteroid, por shumica besojnë se ngjarja kryesore ka më shumë të ngjarë të jetë një tërmet, pasi vendi është i prirur ndaj aktivitetit të shpeshtë sizmik.

Shqetësimet u shtuan kur qeveria japoneze paralajmëroi të hënën për mundësinë e tërmeteve të tjera të forta në pjesën jugperëndimore të vendit, por u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë parashikimeve të pabaza për dridhje shumë të mëdha. Ndaj të premten e kaluar, autoritetet japoneze evakuuan disa banorë të kompleksit të izoluar të ishujve Tokara, i cili i përket prefekturës Kagoshima, në jug të ishullit Kyushu, që u goditën nga një tërmet me magnitudë 5.5 të shkallës Rihter. Ndaj edhe shqetësimet janë shtuar. 

Ryo Tatsuki, artistja pas manga-s "The Future I Saw", është përpjekur të shuajë histerinë, duke theksuar se ajo "nuk është një profete".

Me një popullsi prej 125 milionë banorësh, Japonia ndodhet në pikën e takimit të katër pllakave kryesore tektonike, në zemër të "Unazës së Zjarrit" të Paqësorit, duke e bërë atë një nga vendet më sizmikisht aktive në botë. Arkipelagu regjistron rreth 1,500 tërmete në vit, që përbëjnë rreth 18% të tërmeteve në botë. Më 1 janar 2024, një tërmet me magnitudë 7.5 ballë, më i forti që ka goditur vendin në më shumë se 10 vjet, goditi Gadishullin Noto në Japoninë qendrore, duke vrarë 470 persona, shumë prej të cilëve ishin të moshuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB