
KOSOVË-Sot është mbajtur një ceremoni për nder të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij nga Gjykata Speciale. Duke qenë se Hashim Thaçit nuk i dhanë leje të marrë pjesë në ceremoni, drejtimin e shërbesës e ka marrë djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Endrit Thaçi. Ai përmendi mungesën e të atit pasi Gjykata e Hagës nuk i dha leje të merrte pjesë në varrim.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Fatkeqësisht, sot nuk e lejuan babin që t’ia hedh gjyshit mbi varr një grusht dhe të Drenicës, Vdekjen e pash në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Gjyshi i mbajti të gjithë vuajtjet dhe dhimbjet që kaluam si popull. Por këto katër vite nuk i mbijetoi vuajtjeve dhe dhimbjes nga padrejtësia, një sëmundje e pasherueshme për njerëz të fortë, krenarë dhe me dinjitet. Dhe siç thoshte shpesh gjyshi, ‘me vdek pa u korit’, por as sot nuk jemi koritur. Fatkeqësisht, babain nuk e lejuan ta marrë lamtumirën e fundit me ne sot. Nuk e lejuan që t’i ofroja një grusht dheu të Drenicës mbi ballë, por në vend të babait sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina",-u shpreh Endrit Thaçi.
E pranishme ka qenë edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e cila ka mbajtur fjalim në mbledhjen komemorative që po mbahet pas vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin e thellë për këtë familje të njësuar me historinë e Kosovës, falë njerit prej djemve të tij, Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar, dhe në këtë ditë jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë sepse e di mirë se çfarëdo të thotë të jesh prind i një politikani, e posaqrisht, nëna e një politikani. E kam përjetuar, pranë nënës së Edit. Jam këtu me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çfarë do të thtoë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër një udhëheqësi, aty ky frynë dhe nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoj çdo ditë” – tha ajo.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në ceremoninë mortore të Haxhi Thaçit. Kryetarja e Kuvendi mbajti një fjalim në ceremoninë mortore të Haxhi Thaçit. Teksa e vlerësoi për kontributet që ai i ka dhënë shoqërisë, Spiropali tha se Haxhi Thaçi ishte shembulli, se si një njeri i thjesht mund të bëhet një atdhetar i madh!
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e të dielës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte i shtruar dhe po kurohej përgjatë javëve të fundit. Ish-presidenti Thaçi, të enjten, në masa të rrepta sigurie, vizitoi në spital për rreth 3 orë të atin e sëmurë dhe më pas u kthye sërish në Hagë, atje ku edhe pret gjykimin e tij. Hashim Thaçi akuzohet nga Dhomat e Specializuara për krime ndaj njerëzimit dhe krime lufte, së bashku me drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./ZËRI